Nga Xhensil Shkëmbi
POGRADEC ,09 gusht 2026/Albania Express News/-MOKRA N’FEST ka mbyllur edicionin e saj të shtatë duke kthyer Mokrën në një skenë të madhe të traditës, kulturës, historisë dhe mikpritjes shqiptare. Për një ditë, mijëra banorë, emigrantë dhe vizitorë nga qytete të ndryshme të vendit u bënë pjesë e një feste që synon të ruajë trashëgiminë e kësaj treve dhe ta përcjellë atë te brezat e rinj.
Nga historia e gurit të Mokrës, peizazhet karakteristike të zonës, gatimet tradicionale dhe punimet artizanale, te këngët, vallet, dollia shekullore dhe aktivitetet sportive, edicioni i shtatë solli një mozaik të pasur të asaj që përfaqëson Mokra.
Atmosfera nisi që herët dhe përgjatë gjithë ditës hapësirat e festës u mbushën me njerëz të ardhur jo vetëm nga fshatrat e Mokrës, por edhe nga Elbasani, Pogradeci, Tirana, Vlora, Prespa e zona të tjera të Shqipërisë. Të shumtë ishin edhe emigrantët që zgjodhën të rikthehen në vendlindje për të qenë pjesë e kësaj feste.

“Kjo festë na bashkon me vendlindjen”
Mes njerëzve që u ngjitën në skenën e MOKRA N’Fest ishte edhe këngëtari dhe banori i zonës, Avni Lushka, i cili e sheh këtë aktivitet si një mundësi për të mbajtur gjallë këngën dhe traditën mokrare.
“Është një festë që na bashkon të gjithëve. Këtu takojmë miqtë, të afërmit, njerëzit që janë larguar dhe rikthehen për këtë ditë. Më e rëndësishmja është që tradita të mos harrohet dhe këngët e zakonet e Mokrës të vazhdojnë të jetojnë”, u shpreh Lushka.
E veshur me kostumin tradicional të zonës, Lirie Mustafi, e ardhur nga Prespa, ishte një tjetër dëshmi e bashkimit të trevave shqiptare përmes kulturës.
“Veshja popullore është pjesë e identitetit tonë. Është bukur të shohësh se këto tradita vazhdojnë të respektohen dhe sidomos që të rinjtë po afrohen me to”, u shpreh ajo.

Nga Amerika, Elbasani dhe Vlora, rikthimi te rrënjët
Një nga dimensionet më të veçanta të MOKRA N’Fest është rikthimi. Mes mijëra pjesëmarrësve ishin edhe tre të moshuar, të ardhur përkatësisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Elbasani dhe Vlora, të cilët e përjetuan festën si një udhëtim në kujtesën e tyre.
“Kur kthehesh këtu, të duket sikur koha ndalon. Takon njerëzit, dëgjon këngët, sheh veshjet dhe kujton fëmijërinë. Këto janë gjëra që nuk zëvendësohen dot”, u shpreh njëri prej tyre.
Një tjetër pjesëmarrës tha se festa është edhe një arsye për të rikthyer familjet në vendlindje.
“Shumë njerëz janë larguar për një jetë më të mirë, por zemrën e kanë këtu. Kjo festë na jep mundësinë të rikthehemi dhe të takohemi me njëri-tjetrin.”
Ndërsa i moshuari tjetër, i ardhur nga Vlora, e cilësoi MOKRA N’Fest si një urë mes brezave.
“Është shumë e rëndësishme që të rinjtë ta shohin dhe ta prekin nga afër atë që kanë trashëguar nga të parët.”

Guri i mokrës, historia që ruhet prej shekujsh
Një prej elementeve më interesante të kësaj feste ishte historia e gurit të mokrës, që lidhet drejtpërdrejt edhe me emrin e kësaj treve.
Sipas traditës, emri Mokër lidhet me numrin e madh të mullinjve me ujë që dikur funksiononin në zonë dhe që përdoreshin për bluarjen e drithit.
Një prej personazheve që e ruan këtë histori është Shefqet Lushka, i cili prej vitesh kujdeset për gurë të vjetër të mokrës, disa prej të cilëve datojnë më shumë se 400 vjet.
“Ky gur nuk është thjesht një objekt i vjetër. Ai tregon mënyrën se si kanë jetuar dhe punuar njerëzit dikur. Me këta gurë bluhej mielli dhe ushqeheshin familjet. Është histori dhe ne duhet ta ruajmë që ta njohin edhe fëmijët tanë”, u shpreh Lushka.
Guri i mokrës u kthye kështu në një nga simbolet e festës, duke sjellë në vëmendje një traditë të lidhur ngushtë me jetën, ekonominë dhe kulturën e banorëve të kësaj treve.

Dollia, këngët dhe vallet rikthejnë zakonet e dasmave mokrare
Por Mokra nuk u prezantua vetëm përmes objekteve dhe historisë. Në qendër të festës ishte njeriu dhe mënyra e tij e të jetuarit.
Zakoni i dollisë së dasmës mokrare, pritja e miqve, këngët e burrave dhe grave, vallet tradicionale dhe gatimet karakteristike u përcollën si një pjesë e gjallë e trashëgimisë.
Në një atmosferë ku ndërthureshin tingujt e muzikës tradicionale me duartrokitjet e vizitorëve, breza të ndryshëm u bënë pjesë e së njëjtës festë.
Të moshuarit sollën kujtesën dhe historinë, ndërsa të rinjtë energjinë dhe dëshirën për ta mbajtur këtë traditë gjallë.
Pikërisht kjo ndërthurje e brezave ishte një nga mesazhet më të forta të edicionit të shtatë.

Mokra, një destinacion me histori dhe potencial turistik
Përtej folklorit dhe festës, MOKRA N’Fest synon të shërbejë edhe si një platformë për promovimin e kësaj zone si një destinacion turistik.
Peizazhet natyrore, historia, gastronomia, traditat dhe mikpritja janë elementë që e bëjnë Mokrën një trevë me potencial për të tërhequr gjithnjë e më shumë vizitorë.
Kryetari i Bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli, e ka vlerësuar masivitetin e këtij edicioni si një dëshmi se Mokra po hyn në një fazë të re zhvillimi.
“Edhe këtë herë MOKRA N’Fest dhe mokrarët ia dolën më së miri të nxjerrin në pah vlerat, traditat, mikpritjen, bujarinë, kulturën, historinë dhe faktin që janë njerëz që dinë të argëtohen. Ky edicion solli gjithçka, nga historia e gurit të Mokrës, peizazhet fantastike, dollinë qindra vjeçare, gatimet tradicionale, punimet e dorës, këngët, vallet deri te sportet ujore”, u shpreh Xhakolli.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e investimeve të realizuara dhe atyre që pritet të vijojnë në zonë, duke e lidhur promovimin kulturor me zhvillimin e mëtejshëm të Mokrës.
“Faleminderit mijëra banorëve e vizitorëve të ardhur nga kudo, mbi të gjitha faleminderit rinisë. Prania juaj dhe masiviteti i kësaj feste tregon se në Mokër ke çfarë gjen, çfarë mëson dhe mbi të gjitha çfarë trashëgon”, tha kryebashkiaku.

Një festë që po merr përmasa kombëtare
MOKRA N’Fest nuk është më vetëm një aktivitet lokal. Përmes shtatë edicioneve, festa ka krijuar identitetin e saj dhe po shndërrohet në një prej eventeve që promovojnë traditat dhe kulturën e Shqipërisë.
Fakti që disa muaj më parë Ministria e Turizmit e vlerësoi këtë aktivitet si festën e dytë më të mirë në Shqipëri për promovimin e traditave, i jep një tjetër dimension punës së organizatorëve dhe komunitetit mokrar.
Por ndoshta dëshmia më e fortë e suksesit nuk është një çmim apo një vlerësim institucional. Janë mijëra njerëzit që u rikthyen në vendlindje, familjet që u bashkuan, të rinjtë që morën pjesë në festë dhe të moshuarit që përcollën historitë e tyre.
Sepse MOKRA N’Fest është një festë e traditës, por mbi të gjitha është një festë e njerëzve.
Një ditë ku Mokra kujton të shkuarën, jeton të tashmen dhe përpiqet të ndërtojë të ardhmen duke ruajtur atë që e bën të veçantë: historinë, kulturën, mikpritjen dhe shpirtin e saj.
Dhe ndërsa këngët u mbyllën e njerëzit nisën të largoheshin, një gjë mbeti e qartë: Mokra nuk është vetëm një vend ku kthehesh për një festë. Është një vend ku kthehesh për të kujtuar se nga vjen.


