TIRANË , 19 nëntor 2026/Albania Express News/-Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë për mediet tha sot se shifra prej 10 miliardë eurosh, e prezantuar nga qeveria si buxheti më i madh në histori, nuk pasqyron sipas tij rritjen reale të buxhetit.
Berisha tha se nëse llogaritja bëhet me kursin e këmbimit të vitit 2013, buxheti do të ishte rreth 5.5 miliardë euro. Në fjalën e tij, kreu i PD-së theksoi se pensionistët marrin vetëm 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ose rreth 300-350 milionë euro.
“Së pari, kjo përbën një spekulim madhor sepse në rast se kthehemi në kursin e këmbimit të vitit 2013, kemi të bëjmë pas 14 vitesh me një buxhet prej 5.5 miliardë euro nga 4 miliardë që ishte buxheti i fundit i qeverisë së mëparshme. Po të shkojmë në vitin 2015, kemi të bëjmë me një buxhet- me kursin e këmbimit se kjo bazohet tek narkoeuro- kemi të bëjmë me një buxhet prej 6.5 miliardë eurosh”, u shpreh Berisha.
“Në një buxhet prej 10 miliardë euro, pensionistëve u është lënë vetëm 1 për qind e GDP-së. Iu janë lënë gjithsej 300-350 milionë euro. Nuk ka përqeshje më të madhe për ta. Janë 760 mijë qytetarë. Kjo kërkon minimumi dyfishimin e kësaj shifre nga 300-350 që varion, duhet të shkojë në 700 milionë”, tha ai.
Berisha prezantoi edhe propozimet e Partisë Demokratike për rritjen e të ardhurave dhe mbështetjen sociale. Ai kërkoi rritjen me 50 për qind të pagave të ulëta dhe me 30 për qind të pagave të mesme, ndërsa për pagat e larta propozoi që të mos ketë rritje.
“Rritja e rrogave të ulëta në 50 për qind dhe rrogave të mesme në 30 për qind përballohet pa asnjë vështirësi. Pa asnjë pasojë sepse këta kanë lënë për tenderat dhe për prokurimet 2.2 miliardë euro”, tha ai.
Një tjetër kërkesë e tij ishte vendosja e një minimumi prej 200 eurosh për pensionet, duke përfshirë edhe pensionet e pjesshme. Sipas Berishës, asnjë qytetar nuk duhet të marrë pension, pagesë papunësie apo ndihmë ekonomike nën këtë nivel.
“Minimumi jetik është plotësisht i mundshëm. Ndaj dhe ne deklarojmë se vendosja e minimumit jetik në mënyrë që të mos ketë pension nën 200 euro, asnjë. Dhe kur them pension, them pension të pjesshëm, jo të plotin. Të mos ketë shqiptar që firmos nën 200 euro. As rrogë papunësie, as ndihmë ekonomike. Pra, në rast se ky buxhet do të trajtonte realitetin, do u jepte përgjigje problemeve të mëdha të realitetit shqiptar, kurrë nuk do mund të ishte paraqitur siç u paraqit”, vuri në dukje Berisha.

