MALIQ ,8 qershor 2026/Albania Express News/Në aksin rrugor Moglicë–Gramsh, në territorin e bashkisë Maliq, reshjet e shiut të pasdites së kësaj të hëne kanë krijuar një situatë problematike për qarkullimin e automjeteve.
Si pasojë e motit të keq, masa të mëdha dheu dhe gurësh janë shkëputur nga shpatet anësore të malit dhe kanë rënë në trupin e rrugës, duke bllokuar pjesërisht një segment të rëndësishëm të këtij aksi. Rrëshqitjet kanë vështirësuar ndjeshëm lëvizjen e mjeteve, duke krijuar ngadalësim dhe rrezik për qarkullimin.
Në terren po punohet për pastrimin e rrugës, por aktualisht ndërhyrja po kryhet vetëm në njërin krah të saj, pasi kushtet e motit dhe prurjet e vazhdueshme të dheut e gurëve e bëjnë të pamundur një hapje të plotë të menjëhershme të segmentit.
Autoritetet përgjegjëse dhe grupet e punës ndodhen në vendngjarje dhe po monitorojnë në vijimësi situatën, me qëllim normalizimin sa më të shpejtë të qarkullimit dhe parandalimin e rrezikut për drejtuesit e mjeteve.
Situata mbetet nën vëzhgim, ndërsa u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes në këtë aks.

