NGA FATMIR POPJA
BELSH,23 maj 2026/Albania Express News/Qyteti i Belshit përjetoi një nga netët më të bukura artistike dhe kulturore të vitit, teksa spektakli tradicional i bukurisë “Miss Afërdita 2026” mblodhi qindra qytetarë dhe vizitorë në pedonalen buzë liqenit, në zemër të qytetit. Një aktivitet tashmë i kthyer në traditë nga Bashkia e Belshit, i cili çdo vit sjell emocione, art, kulturë dhe promovim të bukurosheve dhe talenteve të reja të zonës së Dumresë.
Në përfundim të një mbrëmjeje tejet spektakolare, juria profesionale shpalli fituese të kurorës së bukurisë “Miss Afërdita 2026” nxënësen Majlinda Paja, e klasës së shtatë të shkollës 9-vjeçare “Ibrahim Daullja” në fshatin Rrasë. Kurora iu dorëzua nga fituesja e edicionit të kaluar, Rakela Kullolli, ndërsa çmimin fitues e shpalli kryebashkiaku i Belshit, z.Arif Tafani.
E emocionuar dhe e surprizuar nga vlerësimi, Majlinda Paja falënderoi jurinë profesionale, publikun dhe të gjitha konkurentet, duke theksuar se secila prej vajzave meritonte kurorën e këtij edicioni.
Spektakli u konceptua në formën më moderne të një konkursi bukurie, ku 17 konkurrente të ardhura nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e Bashkisë Belsh sfiluan disa herë para publikut me veshje elegante, moderne dhe me kostume tradicionale karakteristike të zonës së Dumresë, duke sjellë një ndërthurje të bukur të traditës dhe modernes.
Pjesëmarrëse në këtë edicion ishin:
• Majlinda Paja
• Melisa Sefa
• Ana Karaj
• Kesjana Lleshi
• Denisa Dragoti
• Erilda Kotorri
• Ersa Tafani
• Ajselda Meta
• Ligersa Haka
• Joana Kasa
• Egla Shehu
• Klejda Kasa
• Valentina Duka
• Iva Kasa
• Amelja Qyra
• Elja Dedja
• Tea Gjoshi
Vajzat përfaqësuan shkollat e Belshit, Seferanit, Dragotit, Deshiranit, Rrasës dhe zonave të tjera të bashkisë, duke i dhënë këtij eventi një përfaqësim të gjerë dhe gjithëpërfshirës të të gjithave zonave të Dumresë.
Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të artit dhe kulturës shqiptare:
• Kastriot Tusha – tenor i mirënjohur shqiptar
• Naim Gjoshi – kompozitor dhe kryetar i jurisë
• Ana Blaceri – koreografe
Mbrëmja artistike u shoqërua me performanca të shumta muzikore, valle popullore, interpretime artistike dhe koreografi moderne, duke krijuar një atmosferë festive që u duartrokit gjatë nga publiku.
Një nga momentet më emocionuese të natës ishte performanca e sopranos Ana Tafani, artistes së talentuar nga Belshi, e cila po ndërton një karrierë të suksesshme edhe në arenën ndërkombëtare. E diplomuar për muzikë dhe performancë operistike në Australi dhe pjesëmarrëse në akademi prestigjioze operistike në Gjermani, Ana Tafani interpretoi në mënyrë brilante duke marrë ovacione të shumta nga publiku. Aktualisht ajo është artiste pranë Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në Tiranë dhe konsiderohet një krenari për qytetin e Belshit.
Atmosferën e ndezën gjithashtu edhe artistët Petro Fejza dhe Sokol Fejza, të cilët me energjinë, interpretimet dhe këngët e tyre sollën emocione të forta dhe argëtim për publikun e shumtë.
Një tjetër moment kulmor ishte ngjitja në skenë e këngëtarit të njohur Irkenc Hyka, i cili interpretoi hitet e tij më të dashura dhe elektrizoi atmosferën me performancën energjike, duke bërë që publiku të këndonte dhe vallëzonte gjatë gjithë mbrëmjes.
Në hapje të eventit, kryebashkiaku i Belshit Arif Tafani u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve dhe falënderoi qytetarët dhe vizitorët që u bënë pjesë e “Festës së Afërditës 2026”, duke e cilësuar këtë aktivitet si një festë të rëndësishme për kulturën, turizmin dhe promovimin e vlerave të qytetit të Belshit.
Pedonalja buzë liqenit u mbush me qytetarë jo vetëm nga Belshi, por edhe nga Cërriku, Elbasani, Peqini dhe zona të tjera përreth, duke e kthyer këtë spektakël në një festë të madhe popullore dhe artistike.
“Miss Afërdita 2026” konfirmoi edhe një herë se Belshi mbetet një nga qytetet që promovon më së miri kulturën, traditën, artin dhe talentet e reja, ndërsa spektakli i bukurisë tashmë është shndërruar në një prej aktiviteteve më të dashura dhe më të ndjekura të zonës së Dumresë.


