Luçiano Boçi kundër draftit të PS për reformën territoriale: “Një hartë elektorale 2.0, thikë pas shpine ndaj qytetarëve dhe territorit”

TIRANË ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër ndaj draftit të propozuar nga deputetët e Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, duke e cilësuar atë si një nismë politike dhe jo institucionale.

Sipas Boçit, propozimi për uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46 nuk është rezultat i një procesi gjithëpërfshirës, por një vendim i marrë paraprakisht nga mazhoranca.

“Drafti i paraqitur nga deputetët e PS për ndarjen territoriale është një tekst politik, i ndërtuar për të legjitimuar një vendim të marrë paraprakisht. Është thjesht dhe vetëm një hartë elektorale 2.0”, deklaron Boçi.

Ai pretendon se reforma synon një centralizim të mëtejshëm të pushtetit vendor, duke kundërshtuar parimet e decentralizimit të kërkuara nga institucionet europiane.

“Është një iniciativë me vija politike dhe matematikë votash, që zhvlerëson funksionin e pushtetit lokal dhe krijon një precedent të rrezikshëm për çdo reformë tjetër institucionale”, shprehet deputeti demokrat.

Boçi ngre pikëpyetje mbi mënyrën e hartimit të draftit, duke argumentuar se ai është depozituar pasi Komisioni për Reformën Territoriale kishte përfunduar mandatin dhe se nuk ka pasur një raport të përbashkët apo vendimmarrje të këtij komisioni.

Sipas tij, komisioni nuk ka miratuar asnjë variant të hartës së re territoriale dhe nuk ka pasur një përfundim të ekspertëve mbi këtë çështje.

“Komisioni nuk mori kurrë një vendim mbi hartën, nuk votoi asnjë variant, nuk miratoi asnjë raport dhe nuk pati konkluzione të ekspertëve. Nuk mund të përdoret puna e tij për të legjitimuar një projekt ekskluzivisht politik”, thekson Boçi.

Deputeti demokrat kritikon gjithashtu mungesën e një metodologjie të qartë mbi kriteret që kanë çuar në propozimin për shkrirjen e disa bashkive.

Ai kërkon shpjegime mbi mënyrën e pikëzimit, peshën e indikatorëve dhe analizat krahasuese për secilën bashki.

“Në mungesë të një metodologjie të verifikueshme, vendimmarrja mbetet politike dhe jo shkencore”, shprehet ai.

Duke iu referuar problematikave të shpopullimit dhe pabarazive territoriale, Boçi argumenton se këto janë pasoja të reformës së vitit 2014 dhe se zgjidhja nuk mund të jetë sërish reduktimi i numrit të bashkive.

“Sot kërkohet më shumë autonomi, më shumë financa dhe më shumë kompetenca për pushtetin vendor, jo largim i institucioneve nga qytetari”, deklaron deputeti.

Ai kundërshton edhe argumentin se bashkitë më të mëdha ofrojnë shërbime më cilësore, duke thënë se drafti nuk shoqërohet me prova konkrete për efikasitetin e tyre.

Sipas Boçit, procesi i konsultimit publik nuk ka qenë i mjaftueshëm dhe numri i pjesëmarrësve në dëgjesa nuk përfaqëson opinionin e qytetarëve.

“3500 qytetarë për një vend me afro 2.4 milion banorë nuk mund të quhen konsultim kombëtar”, deklaron ai.

Boçi sjell në vëmendje edhe rastet e bashkive që, sipas tij, janë përjashtuar në mënyrë selektive nga kriteret e propozuara, duke përmendur Përrenjasin, Dimalin, Poliçanin, Belshin dhe Cërrikun.

“Kriteret vlejnë vetëm kur i leverdis mazhorancës. Kur nuk i leverdis, ato shndërrohen në përjashtime politike”, thotë ai.

Në reagimin e tij, deputeti demokrat kundërshton edhe krijimin e strukturës së propozuar “Bashki-Qytet-Njësi Administrative”, duke argumentuar se drafti nuk përcakton qartë kompetencat, financimin dhe ndikimin financiar të kësaj skeme.

“Nuk ka analizë për koston e tranzicionit, administratës, punësimit, buxheteve vendore apo shërbimeve. Është një draft pa analizë financiare”, shprehet Boçi.

Në fund, ai e cilëson draftin jo si një reformë të pushtetit vendor, por si një reformë të pushtetit qendror.

“Kjo nuk është reformë e decentralizimit. Është një ndryshim i hartës së Shqipërisë mbi vullnetin e një shumice parlamentare dhe jo mbi një marrëveshje kombëtare”, deklaron ai.

Boçi kërkon që reforma të marrë parasysh Kartën Europiane të Vetëqeverisjes Vendore dhe Kushtetutën e Shqipërisë, ndërsa e mbyll reagimin me thirrje për kundërshtim politik të kësaj nisme.

“Vetëm protesta dhe rrëzimi i kësaj politike e bën hartën sipas asaj që duan qytetarët”, përfundon Luçiano Boçi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Peqini mbetet Bashki, Sajmir Hasalla: Vendimi respekton historinë dhe identitetin e kësaj treve

PEQIN ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Deputeti socialist i Peqinit,...

Ilir Daja: Kualifikimi ndaj Aluminij vendoset sonte në Elbasan Arena , duhet të jemi të kujdesshëm në çdo episod

ELBASAN ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Trajneri i Dinamo City...