TIRANË ,6 qershor 2026/Albania Express News/Elseid Hysaj nuk e fshehu zhgënjimin pas humbjes 1-0 të Shqipërisë ndaj Luksemburgut, në një mbrëmje që duhej të ishte festive për kapitenin kuqezi, i cili regjistroi ndeshjen e tij të 100-të me fanellën e Kombëtares.
Mbrojtësi shqiptar pranoi se do të kishte dashur ta kurorëzonte këtë arritje historike me një fitore, por theksoi se skuadra duhet të shohë përpara dhe të nxjerrë mësime nga gabimet e bëra.
“Do të kisha dashur që ndeshjen e 100-të ta festoja ndryshe. Jam pak i lumtur dhe pak i trishtuar, është një ndeshje që mund ta fitonim. Duhet të shohim përpara. Nëse mendojmë për mbrapa, mund të gabojmë, por duhet të rregullojmë gjërat që kemi gabuar”, deklaroi Hysaj pas sfidës.
Kapiteni kuqezi u ndal edhe te gjendja fizike e futbollistëve, duke theksuar se shumë prej tyre vijnë pas një sezoni të gjatë dhe të lodhshëm me klubet e tyre.
“Çunat vijnë nga një kampionat i gjatë, kanë luajtur vazhdimisht dhe fundi i sezonit është i vështirë. Por duhet të jemi profesionistë, ta dimë që luajmë për një komb dhe të japim 100% tonë”, u shpreh ai.
Hysaj foli edhe për periudhën e tranzicionit që po kalon Kombëtarja pas ndryshimit në pankinë, duke e cilësuar këtë si një moment delikat për grupin.
“Kur ka një ndërrim trajneri pas një kompeticioni të madh, është gjithmonë e vështirë. U kam thënë çunave se ky është një moment i vështirë. Nëse ecim mbrapa, do të jetë e vështirë të shkojmë para. Kam folur me ta dhe e dinë që duhet të japim më shumë se ç’dhamë sot”, përfundoi kapiteni i Shqipërisë.
Pavarësisht rezultatit zhgënjyes, Hysaj hyri në historinë e futbollit shqiptar si lojtari i parë që arrin shifrën e 100 ndeshjeve me Kombëtaren, një rekord që e bën edhe më të veçantë kontributin e tij me fanellën kuqezi.


