Ivan Gvozdenoviç: AF Elbasani do të bëjë detyrën e tij, titulli kalon fillimisht nga fitorja ndaj Vllaznisë

AF Elbasani është vetëm 90 minuta larg mbylljes së një prej sezoneve më të suksesshme të viteve të fundit. Verdheblutë do të zbresin në fushë në ndeshjen vendimtare të “Final 4” përballë Vllaznisë, me objektivin e vetëm që njeh skuadra e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç ,fitoren.

Edhe pse fati i titullit kampion nuk varet tërësisht nga AF Elbasani, pasi paralelisht do të zhvillohet edhe sfida mes Egnatias dhe Dinamo City , trajneri serb kërkon që skuadra e tij të fokusohet vetëm te detyra që ka përpara. Sipas Gvozdenoviç, llogaritë dhe rezultatet e ndeshjeve të tjera kanë pak rëndësi nëse AF Elbasani nuk arrin të marrë tri pikët ndaj shkodranëve.

Tekniku verdheblu ka theksuar se grupi është përgatitur me intensitet maksimal gjatë gjithë javës dhe se futbollistët janë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij dueli. Ai ka kërkuar përqendrim të plotë nga ekipi, duke nënvizuar se presioni i një finaleje të tillë duhet të shndërrohet në motivim dhe jo në pengesë.

Pavarësisht se për të ngritur trofeun AF Elbasani ka nevojë edhe për një hap fals të Egnatias në përballjen me Dinamo City , Gvozdenoviç nuk dëshiron të merret me kalkulime. Trajneri beson se skuadra duhet të japë maksimumin në fushë dhe më pas të presë me qetësi rezultatin e ndeshjes tjetër.

Duke komentuar duelin Egnatia-Dinamo City , ai u shpreh se pret një ndeshje të fortë dhe të luftuar, mes dy skuadrave që kanë treguar cilësi gjatë gjithë sezonit. Sipas tij, futbolli shqiptar ka fituar shumë nga rivaliteti i këtyre ekipeve dhe çdo rezultat mbetet i hapur deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

Në prag të kësaj finaleje të madhe, klubi ka marrë edhe një tjetër lajm të rëndësishëm. Vetëm pak ditë më parë, Ivan Gvozdenoviç rinovoi kontratën e tij me AF Elbasanin edhe për një sezon tjetër, duke konfirmuar vazhdimësinë e projektit ambicioz të nisur nga drejtuesit e klubit.

Rinovimi i kontratës konsiderohet si një sinjal i qartë i besimit të ndërsjellë mes trajnerit dhe klubit. Pavarësisht se si do të përfundojë gara për titullin, drejtuesit e AF Elbasanit kanë vendosur të vijojnë rrugën e nisur, duke synuar që skuadra të mbetet konkurruese në nivelet më të larta të futbollit shqiptar edhe në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, atmosfera në qytetin e Elbasanit është elektrizuese. Tifozët verdheblu vazhdojnë të besojnë te mrekullia sportive dhe pritet që një numër i konsiderueshëm prej tyre të udhëtojë drejt kryeqytetit për të mbështetur skuadrën në sfidën më të rëndësishme të sezonit.

Shpresa është ende gjallë. AF Elbasani duhet të fitojë ndaj Vllaznisë dhe më pas të presë lajme nga dueli tjetër. Një skenar që e mban të ndezur garën për titull deri në sekondat e fundit të kampionatit, ndërsa verdheblutë ëndërrojnë të rikthejnë në qytet një trofe që do të kurorëzonte një sezon të jashtëzakonshëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME