Gjykata e Elbasanit lë në burg Poli Boriçin i cili zyrtarisht akuzohet për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje

ELBASAN ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” ndaj personit nën hetim  Poli Boriçi i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Vendimi është marrë këtë të martë, më 18 gusht 2026, pas kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Elbasanit, të përfaqësuar në seancë nga prokurorja Lorena Salillari.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Drenica Demiraj, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vlerësuar si të ligjshëm arrestimin në flagrancë të Poli Boriçi , të kryer nga policia gjyqësore.

Sipas vendimit zyrtar të gjykatës, Poli Boriçi dyshohet se ka kryer veprën penale të vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, të parashikuar nga nenet 76 dhe 22 të Kodit Penal, si dhe veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve, të parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal.

Gjykata ka urdhëruar që personi nën hetim të izolohet në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, duke qëndruar në dispozicion të organit procedues për vijimin e hetimeve.

Në vendim përcaktohet gjithashtu se shpenzimet procedurale dhe gjyqësore do të mbeten siç janë bërë, ndërsa avokati i caktuar kryesisht do të paguhet sipas tarifave shtetërore.

Vendimi është shpallur në orën 15:17 të datës 18 gusht 2026.

Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë të bëjnë ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar.

Vendimi i gjykatës për masën e sigurimit është marrë në kuadër të fazës së hetimit dhe nuk përbën deklarim fajësie ndaj personit nën hetim. Përgjegjësia penale do të përcaktohet në përfundim të procesit gjyqësor, sipas ligjit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME