“Futbollisti që nuk bëri zhurmë, por histori”,promovimi i librit për Bujar Canin bëri bashkë në Peqin ,yjet e futbollit shqiptar

NGA FATMIR POPJA

PEQIN ,15 qershor 2026/Albania Express News/Në mjediset e Agroturizëm “Via Egnatia” në qytetin e Peqinit u zhvillua një nga aktivitetet më emocionuese dhe më dinjitoze kushtuar historisë së futbollit shqiptar, promovimi i librit “Bujar Cani, futbollisti që nuk bëri zhurmë, por histori”, me autor Nuredin Çeçi. Ky  aktivitet i tejkaloi kufijtë e një promovimi të zakonshëm libri dhe u shndërrua në një manifestim të vërtetë sportiv  vlerash, kujtese dhe mirënjohjeje për një nga figurat më të spikatura të futbollit peqinas dhe atij shqiptar.

Salla mblodhi personalitete të njohura të sportit, medias, pushtetit vendor, miq e dashamirës të familjes Cani, ndërsa spikatën emra që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar me fanellat e Shkumbinit, Labinotit, Partizanit dhe Kombëtares së Shqipërisë, skuadra ku Bujar Cani la gjurmë të pashlyeshme.

Një emocion i veçantë ishte prania e bashkëshortes së legjendës së futbollit shqiptar Panajot Pano, zonjës Rebeka Pano, së bashku me djalin e tyre Ledio Pano. Të pranishëm ishin gjithashtu zv.presidenti i FSHF-së Lutfi Nuri, Abdyl Kuriu, Eduart Gjini dhe një galeri e tërë emrash të njohur të futbollit shqiptar si Mihal Gjika, Dhimitër Gjika, Petrit Gjika, Astrit Ziu, Agim Janku, Artin Kovaçi,Muharrem Dosti , Luan Deliu, Ferdinand Lleshi, Arjan Roseni, Edmond Mustafaraj, Sabri Dalipi,  Gud Tafaj, Thedhori Kalluci, Gugash Magani, Astrit Isai, Kujtim Kryemadhi, Sovjet Lamçe dhe shumë të tjerë.

Moderuar me profesionalizëm dhe emocion nga gazetari Dëfrim Methasani, aktiviteti u kthye në një rrëfim kolektiv për jetën dhe veprën e një sportisti që, siç u shpreh moderatori, “foli edhe me heshtjen e tij”. Ai falënderoi për besimin familjen Cani, veçanërisht Emin Canin, trajnerin Gugash Magani dhe presidentin e TV Klaudiana, Gazmend Vogli, ndërsa bëri të ditur se në ciklin “Rrëfim Kampionësh” në RTSH do të transmetohet së shpejti edhe dokumentari kushtuar rrugëtimit të jashtëzakonshëm të Bujar Canit, një kampion që u pengua në kulmin e karrierës së tij nga politika e kohës.

Gazetari Fatmir Mëneri solli një analizë të detajuar të cilësive sportive të Bujar Canit, duke evidentuar karakterin, disiplinën dhe inteligjencën e tij në lojë, si dhe duke vlerësuar punën e jashtëzakonshme të familjes, veçanërisht të Emin Canit, në ruajtjen dhe përjetësimin e kësaj historie. Ai kujtoi me emocion ndeshjet me Partizanin dhe përballjen historike me Republikën Federale të Gjermanisë, ku Cani u dallua në duel me Mylerin e madh.

Gazetari sportiv Lulzim Resulaj solli atmosferën e tifozërisë peqinase, që e ndiqte Bujar Canin kudo ku luante, ndërsa gazetari Fatmir Popja hodhi një propozim që u prit me duartrokitje.Ai sygjeroi që  stadiumi i qytetit të Peqinit duhet të mbajë emrin e Bujar Canit, si një nderim i merituar për njeriun që e bëri këtë qytet të njohur në mbarë opinionin sportiv të Shqipërinë.

Një nga momentet më prekëse ishte fjala e Artin Kovaçit, djalit të trajnerit legjendar Fadil Kovaçi, i cili kujtoi lidhjet shpirtërore të familjes së tij me Peqinin dhe familjen Cani, duke theksuar se ato kanë qenë dhe mbeten shumë më tepër se marrëdhënie sportive.

Emocione të forta sollën edhe kujtimet e ish-bashkëlojtarëve të Kombëtares. Faruk Sejdini e cilësoi Bujar Canin si futbollistin që shkroi histori për Peqinin dhe Shqipërinë, por që mbeti me pengun e madh të një karriere të ndërprerë padrejtësisht për shkak të biografisë së familjes së tij.

Mihal Gjika kujtoi miqësinë e krijuar fillimisht në Elbasan  e më pas te Partizani dhe Kombëtarja, një miqësi që vazhdoi edhe mes familjeve, ndërsa Rebeka Pano solli kujtime të ngrohta për mikun e familjes së saj, duke e përshkruar Bujar Canin si një qytetar me dinjitet të rrallë dhe një futbollist të jashtëzakonshëm që meriton nderimet më të larta.

Mes emocionesh të dukshme, Emin Cani ,që të gjithë e thërrasin në publik VERI , vëllai i legjendës Bujar Cani falënderoi të gjithë të pranishmit dhe të gjithë ata që ndanë rrugëtimin sportiv me vëllain e tij, duke dëshmuar edhe një herë lidhjen e fortë që sporti krijon mes njerëzve dhe brezave.

Edhe Gazmend Vogli, një nga bashkë organizatorët e aktivitetit, shprehu krenarinë e qytetarëve të Peqinit për figurën e Bujar Canit, duke theksuar se ai mbetet një nga ambasadorët më të denjë të qytetit dhe të futbollit shqiptar.

Promovimi i librit kushtuar këtij sportisti të jashtëzakonshëm nuk ishte thjesht prezantimi i një botimi. Primovumi i këtij libri ishte një rikthim në kohë, një homazh për një njeri që nuk kërkoi kurrë zhurmë apo lavdi personale, por që me talentin, karakterin dhe përkushtimin e tij shkroi histori në futbollin shqiptar.

Katërmbëdhjetë vjet pas ndarjes nga jeta, Bujar Cani vazhdon të mbledhë rreth emrit të tij breza futbollistësh, trajnerësh, gazetarësh dhe tifozësh, duke dëshmuar se legjendat e vërteta nuk jetojnë vetëm në statistika apo trofe, por mbi të gjitha në respektin, kujtesën dhe dashurinë që lënë pas.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dosja “Veliaj”/ Seanca për 11 të pandehurit, shtyhen konkluzionet e mbrojtjes për Fatjon Baçin, shkak bëhet…

TIRANË,15 qershor 2026/Albania Express News/Pasi SPAK ka shpallur pretencën...

Aksident i rëndë në aksin Fier–Libofshë, 4 të plagosur

FIER ,15 qershor 2026/Albania Express News/Një aksident i rëndë...