Futbolli është i tifozëve

Nga Erion Sqapi

AF Elbasani humbi edhe ndaj Tiranës në shtëpi. Rezultati mund të analizohet në shumë mënyra, por përtej çdo analize mbetet një pyetje e thjeshtë: çfarë faji kanë tifozët?

Janë ata që paguajnë biletën për të hyrë në stadium. Janë ata që udhëtojnë me paratë e tyre në transfertë, që mbështesin ekipin në çdo moment dhe që vazhdojnë të jenë aty edhe kur rezultatet nuk vijnë.

Nuk e di nëse u ofrohet ndonjë autobus falas apo ndonjë mbështetje reale. Por ajo që dihet është se tifozi shqiptar vazhdon të paguajë nga xhepi i vet për pasionin e tij.

Ndërkohë dëgjojmë sharje nga tifozët kundërshtarë, shohim politikanë që shfaqen në stadium, dalin në tribunë dhe sillen sikur po luajnë vetë. Nuk është diçka e re. Futbolli dhe tifozëria janë përdorur prej vitesh për imazh dhe për vota.

Dhe këtu duhet të jemi realistë.

Po, ky klub u ngrit shpejt dhe po bën histori. Meritë për këtë kanë drejtuesit dhe ata që investuan për ta ndërtuar. Bravo dhe respekt për këtë. Por nuk mund të gjykohen të tjerët sikur vetë sistemi është ndryshe. Futbolli shqiptar funksionon në një realitet që të gjithë e njohin.

Një tjetër problem është mungesa e kushteve reale për tifozin shqiptar. Në shumë stadiume mungojnë kushtet minimale, ndërkohë që kërkohet vazhdimisht mbështetje dhe prezencë nga publiku. Tifozi paguan, udhëton dhe sakrifikon, por shpesh nuk merr respektin që meriton.

Duhet kuptuar edhe diçka tjetër: futbolli shqiptar nuk mbahet ekonomikisht nga tregu, por nga investimi personal i presidentëve dhe mbështetja institucionale. Pa bashkitë dhe pa financimet private, shumë klube do ta kishin të vështirë të mbijetonin. Kjo është arsyeja pse duhet më shumë bashkëpunim dhe më pak përplasje artificiale mes klubeve dhe tifozërive.

Prandaj unë do t’i bëja një thirrje të thjeshtë kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak: të krijohet një fond për të mbuluar biletat e tifozëve të Elbasanit në ndeshjet në shtëpi.

Dyert e stadiumit duhet të hapen.

Nëse një klub fiton mesatarisht rreth 15 milionë lekë të vjetra nga biletat në një ndeshje dhe luhen rreth 20 ndeshje në sezon, atëherë bëhet fjalë për rreth 300 milionë lekë të vjetra në vit. Një shumë që mund të mbulohet për t’i kthyer stadiumet në ambiente të hapura për qytetin.

Kjo do të sillte më shumë njerëz në stadium, më shumë atmosferë dhe më shumë afërsi mes klubit dhe qytetit. Dhe pavarësisht rezultatit, njerëzit do të largoheshin të paktën me ndjesinë se panë një spektakël dhe kaluan një mbrëmje të bukur.

Sepse nuk ka sens që një i ri i papunë, një pensionist apo një fëmijë të paguajë për të mbajtur mbi shpinë gjithë barrën e futbollit.

Pjesëmarrja në Europë duhet parë si fitore për gjithë qytetin dhe jo vetëm për klubin. Europa sjell prestigj, promovim dhe zhvillim për emrin e qytetit. Për shumë skuadra shqiptare, ky është një hap më i rëndësishëm afatgjatë sesa vetë titulli.

Në fund, tifozit nuk i kërkohet të kuptojë politikën apo ekonominë e futbollit. Ai kërkon vetëm të ndjejë se skuadra e tij respektohet dhe lufton për fanellën.

Dhe kjo është minimumi që meriton çdo tribunë.

Sepse në fund, futbolli është i tifozëve.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Fshati Levrushk në Pukë, mes gjelbërimit dhe maleve

PUKË, 16maj 2026 /Albanoa Express News/ Mes peizazheve të...

Ansambli “Gurra e Kurbinit” shkëlqen në festivalet mbarëkombëtare, rrëmben çmime dhe zemrat e publikut

Nga Imer Hysa KURBIN,16 maj 2026/Albania Express News/Ansambli “Gurra e...

Zbatimi i paqes fiskale, cilat janë bizneset që nuk përfitojnë

TIRANË ,15 maj 2026/Albania Express News/Drejtoria e Tatimeve ka...