ELBASAN ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Kompania Fenix I.C. Shpk, një nga sipërmarrjet më të konsoliduara në industrinë agro-ushqimore në qarkun e Elbasanit, po shënon një tjetër etapë zhvillimi, duke zgjeruar kapacitetet prodhuese, rritur eksportet dhe forcuar bashkëpunimin me fermerët vendas.
E ngritur mbi vizionin për t’i dhënë më shumë vlerë produkteve shqiptare, Fenix është specializuar në përpunimin e ullirit, prodhimin e vajit të ullirit, përpunimin e peshkut, ndërsa vitet e fundit ka investuar vazhdimisht në teknologji moderne për të garantuar cilësi dhe standarde bashkëkohore në prodhim.

Një tjetër hap i rëndësishëm për kompaninë ishte edhe hapja në vitin 2025 e fabrikës për përpunimin e ullirit turshi në Librazhd, investim që ka zgjeruar më tej gamën e produkteve dhe ka rritur kapacitetet përpunuese të saj.
Falë investimeve të realizuara, mbështetjes nga Skema Kombëtare dhe lançimit të markës së saj “Toka”, kompania ka arritur të zgjerojë aktivitetin, të krijojë vende të reja pune dhe të ndërtojë një rrjet të qëndrueshëm bashkëpunimi me mbi 100 fermerë të zonës, të cilët furnizojnë fabrikën me lëndë të parë vendase.

Produktet e Fenix tashmë kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke u eksportuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe në disa tregje të rëndësishme europiane, duke promovuar cilësinë e produkteve shqiptare dhe duke rritur praninë e etiketës “Made in Albania” në arenën ndërkombëtare.
Ky zhvillim vjen edhe në kuadër të nismës “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, përmes së cilës mbështeten bizneset që investojnë në zgjerimin e kapaciteteve prodhuese, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e eksporteve.

Modeli i Fenix konsiderohet një shembull i suksesit të sipërmarrjes shqiptare, ku investimi në teknologji, partneriteti me fermerët dhe orientimi drejt tregjeve ndërkombëtare po krijojnë më shumë vlerë për ekonominë vendase dhe po kontribuojnë në zhvillimin e sektorit agro-përpunues në qarkun e Elbasanit dhe më gjerë.


