Zjarret dhe temperaturat rekord ndezin alarmin, Banka Qendrore Europiane paralajmëron: Kriza klimatike kërcënon ekonominë globale

EUROPË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Kriza klimatike dhe dëmtimi i shpejtë i natyrës po përbëjnë një rrezik gjithnjë e më të madh për ekonominë globale dhe stabilitetin financiar, ka paralajmëruar një zyrtar i lartë i Bankës Qendrore Europiane.

Frank Elderson, anëtar i bordit ekzekutiv të Bankës, deklaroi se institucioni po rrit monitorimin e rreziqeve financiare që lidhen me shkatërrimin e të ashtuquajturave “shërbime të ekosistemit”, proceset dhe burimet natyrore që mbështesin aktivitetin njerëzor dhe ekonominë.
“Këto shërbime nuk janë të qëndrueshme, por janë në rënie të shpejtë. Kjo është arsyeja pse flasim për krizën e klimës dhe natyrës”, tha Elderson.

Sipas tij, varësia e ekonomisë nga natyra është shumë më e madhe sesa mendohet dhe dëmtimi i saj mund të ndikojë drejtpërdrejt në banka, kredi, rritjen ekonomike dhe inflacionin.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur Evropa po përballet me pasoja të rënda nga temperaturat rekord dhe zjarret masive. Në Francë dhe Spanjë, zjarret kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha toke, biznese dhe banesa, duke shkaktuar kosto të mëdha ekonomike përveç humbjeve njerëzore, shkruan Guardian.
Elderson tha se fatkeqësitë natyrore të shkaktuara nga ngrohja globale po bëhen më të shpeshta dhe përbëjnë një kërcënim për stabilitetin financiar.
“Nëse shkatërron natyrën, shkatërron bazën mbi të cilën varen ekonomitë tona. Kjo nuk është thjesht një çështje mjedisore, por është çështje e ekonomisë bazë dhe stabilitetit financiar”, u shpreh ai.
Banka Qendrore Europiane, si mbikëqyrëse e bankave më të mëdha të Evropës, ka nisur një program për të analizuar se si degradimi i natyrës mund të ndikojë në sistemin bankar. Institucioni pritet të publikojë më vonë gjatë këtij viti një analizë mbi mënyrën se si dëmtimi i ekosistemeve mund të shkaktojë humbje kredie për bankat e zonës euro.
Elderson ka qenë gjithashtu një nga figurat themeluese të Rrjetit për Gjelbërimin e Sistemit Financiar (NGFS) në vitin 2017, së bashku me drejtues të tjerë të bankave qendrore ndërkombëtare.
Megjithatë, politikat klimatike në sektorin financiar kanë hasur kundërshtime, veçanërisht gjatë presidencës së Donald Trump në SHBA. Trump e tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga NGFS, duke lënë Evropën të udhëheqë përpjekjet për menaxhimin e rreziqeve klimatike në financa.
Sipas Elderson, industria bankare evropiane tashmë e pranon se rreziqet që lidhen me klimën dhe natyrën nuk mund të injorohen më.
“Do të ishte shumë e vështirë të gjeje një bankë në Evropë që sinqerisht të thotë se kjo nuk është e rëndësishme. Mendoj se ajo kohë ka kaluar”, tha ai

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Stato Quotidiano”: Riviera Shqiptare jashtë sezonit: Një udhëtim ndryshe mes natyrës, historisë dhe qetësisë

TIRANË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Riviera Shqiptare nuk është...

Tërmeti më i fortë në 40 vite në Napoli/ Ndërtesa të shembura dhe 21 persona të plagosur, dy në gjendje të rëndë

BOTA ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Një tërmet me magnitudë...

Reagimi urgjent, FIFA heq dorë nga ideja e Gianni Infantinos për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës

BOTA ,01 gusht 2026/Albania Express News/-FIFA ka bërë një...

Protestuesit prej 62 ditësh në shesh, mbyllet me marshimin e përnatshëm tubimi në kryeqytet

TIRANË ,31 korrik 2026/Albania Express News/-Protesta e Tiranës mbështet...