Fati i PD-së në Gjykatën e Lartë edhe rikthimi i ambasadorit Amerikan në Tiranë!

Nga Ermal Peçi

TIRANË , 22 gusht 2026/Albania Express News/-Në politikën e Shqipërisë, në demokracinë hibride 36-vjeçare, qytetarët mendonin se i kishin parë të gjitha, derisa politika e tranzicionit veproi për të mbajtur njëri-tjetrin. Ajo që ndodhi me vulën e PD-së ishte një turp i madh, ku me një vulë të një dege u firmosën pa fund fletë. Një film me seri pafund, ku kishte tradhti, pazare, delirantë, papjekuri, por edhe urrejtje.

Kishte individë të cilët mendonin se, duke larguar Bashën, më pas do të largonin Berishën dhe do ta merrnin partinë vetë. Kishte njerëz që afroheshin me mendjen se Berisha dhe Basha tani janë në pozita të vështira dhe do të na kenë nevojën edhe ne mund të përfitojmë. Kishte njerëz që nuk dinin ku kishin vendin e tyre dhe sa vlenin realisht, me pak fjalë kishte nga të gjithë.

Në anën tjetër, kishte edhe një panoramë më të madhe që dukej e pabesueshme, por që koha e nxori në dritë. Rama, Meta dhe Berisha u bënë bashkë për të eliminuar personin që kishte folur për trekëndëshin e Bermudës që ekzistonte në Shqipëri: Lulzim Bashën.Mos të mjaftonte kjo, oligarkët që rrënjët i kishin te këta të tre, së bashku me mediat e tyre dhe grupet kriminale, u mobilizuan që ai të mos kishte asnjë shans në terren dhe figura e tij të diskreditohej. Ndodhi gjithçka në atë betejë. Tradhti, akuza, përplasje, pazare dhe luftë për pushtet, por në fund, mbi të gjitha, në këtë betejë humbën demokratët dhe qytetarët dhe fitoj vetëm Edi Rama.

Nga vendimi Zhukri, i cili u shoqërua më pas me largimin e tij nga sistemi i drejtësisë pas procesit të Vettingut, deri te vendimi i Apelit për vulën e PD-së, një vendim i kontestuar fort politikisht, pati shumë zhvillime që rrethoheshin vetëm rreth partisë më të madhe opozitare. Por një deklaratë e ish-deputetit të PD-së, Durrës, Ferdinand Xhaferri, i dha një tjetër dimension debatit. Ai deklaroi se Berisha kishte bërë pazar me Ramën për vulën dhe i kishte njoftuar se vula do të kalonte tek ai, tre ditë përpara vendimit.

Paralelisht, kur Basha portretizohej si i shitur e jo politikan cilësor, Këshilli i Europës dhe Kongresi në SHBA e ngarkuan me detyrë të lartë për konfiskimin e aseteve ruse. Në anën tjetër, pavarësisht se sot nuk është as deputet dhe s’ka asnjë vendimmarrje në politikë, ai ishte i ftuar në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, e cila është një nga forumet më të rëndësishme ndërkombëtare për sigurinë, mbrojtjen dhe politikën globale.

Këtu qëndron një nga paradokset më të mëdha të politikës shqiptare. Brenda vendit mund të të rrëzojnë politikisht, mund të të etiketojnë, mund të të shpallin të përfunduar, por jashtë vendit, vlerësimi mund të bëhet mbi një tjetër standard. Ndoshta këtu vlen të kujtojmë shprehjen e filozogit George Santayanën: “Ata që nuk kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin atë.” Shqipëria, pas 36 vitesh tranzicion, ka rrezikun të vazhdojë të jetojë të njëjtat beteja, vetëm me emra dhe skenarë të rinj dhe të përsërisi vitin 92 me ambasadorin amerikanë.

PD-ja sot është në një udhëkryq të madh dhe ardhja e ambasadorit amerikan Eric Wendt duket si një stuhi para qetësisë. Pas tre vitesh pa një ambasador amerikan në Tiranë, vendosja e këmbës së ambasadorit Eric Wendt në Shqipëri nuk mund të shihet thjesht si një ndryshim emri në zyrën e ambasadës. Është rikthimi i një përfaqësimi politik amerikan në një moment kur themelet e politikës shqiptare janë të tronditura dhe ku shumëçka që deri dje dukej se mund të bëhej si të donte politika, do të përballet me një tjetër realitet. Askush nuk duhet të mendojë se mund të jetë mbi ligjin. As pushteti, as opozita, as individët që për vite kanë menduar se politika mund t’i mbrojë nga çdo përgjegjësi.

Pikërisht këtu fillon pjesa më e rëndësishme e kësaj historie. Me ardhjen e ambasadorit amerikan do të kuptojmë më mirë se çfarë do të bëhet me Edi Ramën, çfarë do të bëhet me Sali Berishën dhe, mbi të gjitha, si do të veprojë SPAK-u përballë politikës shqiptare. Në një anë janë një tufë dosjesh në SPAK me politikan edhe individ të cilët fijet e pushtetit i kanë të lidhur me politikën dhe tashmë nga gjykata duhet të ketë përgjigje. Në anën tjetër janë qytetarët të cilët ambasadën amerikane e kanë pasur busull zhvillimesh për politikën e brendshme.

Prandaj këtë herë pyetja nuk është vetëm se kush do të fitojë vulën e PD-së. Pyetja është më e madhe: a do të vazhdojë politika shqiptare të sillet sikur ligji është për të tjerët, apo do të vijë momenti kur të gjithë do të përballen njësoj me drejtësinë? Por nëse drejtësia vijon të prekë politikën pa dallim, atëherë shumë nga ekuilibrat që kemi njohur për 36 vite mund të ndryshojnë dhe këtu rikthehet ambasadori amerikan. Vendosja e këmbës së tij në Tiranë pas tre vitesh mund të trondisë themelet e një sistemi politik ku shumë njerëz janë mësuar të besojnë se gjithmonë do të gjejnë një rrugëdalje.

Në këtë kontekst këtu merr kuptim ideja klasike e filozofisë politike, ajo e Monteskjes: “Pushteti duhet të ndalojë pushtetin.” Sepse vetëm kur pushteti kontrollohet dhe drejtësia funksionon pa dallim, mund të flasim për një shtet ku askush nuk është mbi ligjin.Këtë herë rrugëdalja mund të mos jetë më politike. Mund të jetë drejtësia dhe pikërisht aty do të kuptojmë se çfarë do të bëhet me Ramën, çfarë do të bëhet me Berishën, çfarë do të bëjë SPAK-u me dinosaurët politikë e mbi të gjitha, çfarë do të bëhet me Partinë Demokratike.

Sepse fati i PD-së mund të vendoset në Gjykatën e Lartë, por fati i politikës shqiptare mund të vendoset shumë më larg se aty.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME