Vangjel Tavo rikthen shpresën për futbollin në Himarë, zbulon projektin për stadiumin e ri dhe ekipet e federuara : Nga koha e artë e Vasil Rucit te “ekipi i zemrës”

HIMARË  , 22 gusht 2026/Albania Express News/-Himara kërkon të rikthejë një pjesë të identitetit të saj sportiv. Qyteti bregdetar, që dikur kishte një jetë të gjallë futbollistike dhe një skuadër që garonte denjësisht në nivelet e larta të futbollit shqiptar, prej vitesh e ka humbur ekipin dhe atmosferën që dikur shoqëronte ndeshjet e futbollit.

Tashmë, Bashkia Himarë ka vendosur ta nisë ringjalljen e sportit nga infrastruktura. Kryebashkiaku Vangjel Tavo ka bërë të ditur se projekti për ndërtimin e një stadiumi të ri është miratuar dhe është parashikuar në buxhet, ndërsa shumë shpejt pritet të nisë edhe procedura e prokurimit.

Por synimi nuk është vetëm ndërtimi i një stadiumi. Krahas tij është planifikuar edhe një pallat sporti, ndërsa Bashkia synon që nga sezoni i ardhshëm Himara të ketë ekipe të federuara në disa disiplina dhe një akademi sportive.

Nga ditët e arta te heshtja e futbollit

Për shumë himariotë, rikthimi i futbollit nuk është thjesht një projekt i ri bashkie. Është një përpjekje për të rikthyer një pjesë të historisë së qytetit.

Himara ka pasur dikur shkëlqimin e saj në futboll. Në periudhën e komunizmit, skuadra himariote luante në Kategorinë e Parë, duke u përballur denjësisht me ekipet e tjera të kampionatit.

Më pas erdhi rënia dhe një periudhë e vështirë për klubin. Rënia deri në Kategorinë e Tretë mund të cilësohej si një dramë sportive për një qytet me traditë, por skuadra pati edhe një moment ringritjeje që mbetet ende sot në kujtesën e banorëve.

Në atë periudhë, në drejtimin e klubit u angazhua një emër i madh i futbollit vlonjat, Vasil Ruci, ndërsa në pankinë ishte Dritan Resuli. Kontributi i tyre ndihmoi në ringritjen e skuadrës, e cila arriti të rikthehej në Kategorinë e Parë.

Për himariotët, ajo periudhë mbetet një prej momenteve më të bukura të futbollit të qytetit.

“Eh, kanë ikur kohët e arta të Himarës”

Kujtimet për atë kohë vazhdojnë të jetojnë te banorët e qytetit, veçanërisht te ata që e kanë përjetuar nga afër atmosferën e futbollit himariot.

Një prej tyre, më i riu në moshë ndër ata që kanë luajtur me ekipin e Himarës në periudhën kur drejtor i klubit ishte Vasil Ruci, e përmbledh në pak fjalë nostalgjinë për atë periudhë:

“Eh, kanë ikur kohët e arta të Himarës. Suksesi ka qenë në kohën e Vasil Rucit, kur edhe unë jam stërvitur me moshat.”

Është një dëshmi e thjeshtë, por që tregon se çfarë përfaqësonte futbolli për komunitetin. Ekipi nuk ishte vetëm një skuadër që luante ndeshje; ishte pjesë e jetës së qytetit, e bisedave, e fundjavave dhe e krenarisë lokale.

Sot, kjo atmosferë mungon. Stadiumi dhe futbolli janë kthyer në një kujtim për shumë prej atyre që kanë përjetuar vitet e arta.

Petro Ruci, emri që lidhet me historinë e stadiumit

Historia sportive e Himarës lidhet edhe me emra që kanë lënë gjurmë në kujtesën e qytetit. Mes tyre përmendet Petro Ruci, “djali i Himarës”, emri i të cilit mban stadiumi ekzistues i qytetit.

Ata që kanë jetuar nga afër vitet e futbollit himariot sjellin në kujtesë një periudhë kur stadiumi ishte një prej pikave ku mblidhej komuniteti dhe ku sporti krijonte një jetë të veçantë sociale.

Këto histori janë tashmë pjesë e kujtesës së qytetit dhe përbëjnë edhe bazën emocionale të projektit të ri: të rikthehet jo vetëm një ekip, por atmosfera dhe identiteti sportiv i Himarës.

Tavo: “Himara do të ketë një stadium të ri”

Kryebashkiaku Vangjel Tavo e sheh rikthimin e sportit si një investim afatgjatë për qytetin.

“Himara do të ketë një stadium të ri. Ne e kemi miratuar në buxhet dhe jemi pothuajse gati për të prokuruar stadiumin e ri të Himarës. Jo vetëm stadiumin. Së bashku me stadiumin kemi planifikuar të ndërtojmë edhe një pallat sporti”, është shprehur ai.

Stadiumi i ri është planifikuar të ndërtohet në zonën e unazës së qytetit, në hapësirën e njohur si “Fusha e Ullinjve”.

Në të njëjtën zonë synohet të ndërtohet edhe pallati i sportit, megjithëse për këtë të fundit mbetet për t’u përcaktuar çështja e truallit.

Sipas Tavos, mungesa e tokës publike mund të bëjë të nevojshme ndjekjen e procedurave të shpronësimit për interes publik, në varësi të zonës që do të përcaktohet për investimin.

Objektivi: ekipe të federuara dhe akademi sportive

Projekti i Bashkisë Himarë shkon përtej një impianti futbolli. Objektivi është krijimi i një strukture të qëndrueshme sportive, ku të rinjtë e qytetit të kenë mundësi të stërviten dhe të garojnë.

Tavo ka deklaruar se synimi është që vitin e ardhshëm të federohen ekipet e Himarës dhe qyteti të ketë përsëri ekipin e tij.

“Ne mendojmë që vitin tjetër të federohen të gjitha ekipet, për të pasur edhe Himara ekipin e vet të zemrës. Do ta bëjmë realitet këtë”, ka deklaruar kryebashkiaku.

Në plan është edhe krijimi i një akademie sportive, me synimin për të evidentuar dhe zhvilluar talentet e reja.

Sipas Tavos, Himara ka potencial jo vetëm në futboll, por edhe në volejboll, basketboll, not dhe sporte të tjera.

“Do të ndërtojmë një akademi të mirëfilltë”, ka premtuar ai.

Një qytet me traditë edhe në volejboll

Historia sportive e Himarës nuk është e lidhur vetëm me futbollin. Qyteti ka pasur rezultate edhe në sportet me dorë, veçanërisht në volejboll.

Tavo ka sjellë si shembull suksesin e ekipeve të shkollave të mesme, duke theksuar se Himara është shpallur kampione e Republikës në volejboll për femra.

“Himara i ka të gjitha mundësitë për të zhvilluar aktivitetet sportive, notin, aktivitetet që kryhen në ambiente të mbyllura, sikundër edhe futbollin”, ka thënë ai.

Kjo është arsyeja pse projekti i ri synon të krijojë një bazë infrastrukturore që t’u shërbejë disa disiplinave dhe jo vetëm futbollit.

Tavo: “Kam luajtur futboll dhe basketboll”

Kryebashkiaku Vangjel Tavo ka edhe një lidhje personale me sportin. Ai ka luajtur futboll dhe basketboll, ndërsa sporti ka qenë i pranishëm edhe në familjen e tij.

Vëllai i tij, Grigor Tavo, ka qenë më parë president i klubit të futbollit Luftëtari.

“Unë jam marrë me sportin, me futbollin. Jam marrë edhe me basketbollin. E kam përvojën dhe kam edhe shumë dëshirë për të bërë diçka në Himarë dhe për të lënë diçka të bukur për Himarën”, është shprehur ai.

Pikërisht kjo lidhje personale, por edhe historia e qytetit, duket se janë pjesë e motivimit për të rikthyer sportin në një prej qyteteve që dikur kishte një jetë të konsiderueshme futbollistike.

Ish-fusha sportive, tashmë parkim nëntokësor

Ndërkohë, hapësira ku ndodhej ish-fusha sportive e qytetit po merr një tjetër funksion. Bashkia po ndërton aty një parkim nëntokësor me 270 vende, i cili sipas planifikimit pritet të jetë gati për publikun në sezonin e ardhshëm turistik.

Investimi synon të zgjidhë një prej problematikave kryesore të Himarës gjatë muajve të verës, kur numri i vizitorëve dhe automjeteve rritet ndjeshëm.

Ndërtimi i stadiumit në “Fushën e Ullinjve” do të krijojë ndërkohë një hapësirë të re sportive, duke i dhënë qytetit mundësinë të ketë një impiant të përshtatshëm për futbollin dhe aktivitete të tjera.

Nga nostalgjia te një kapitull i ri

Himara ndodhet përballë një sfide që shkon përtej ndërtimit të një objekti sportiv. Për të rikthyer futbollin duhet të rikthehet edhe komuniteti rreth tij, të krijohen ekipet, akademia, grupmoshat dhe një strukturë që mund ta mbajë gjallë sportin në mënyrë të qëndrueshme.

Nga vitet kur Himara luante në Kategorinë e Parë, te rënia në nivelet më të ulëta, ringritja e dikurshme me Vasil Rucin dhe Dritan Resulin dhe më pas vitet e heshtjes, historia e futbollit himariot ka kaluar nëpër disa etapa.

Sot, bashkia premton një kapitull të ri.

Nëse projekti realizohet sipas planifikimit, Himara do të ketë një stadium të ri, një pallat sporti, ekipe të federuara dhe një akademi që synon të prodhojë brezin e ardhshëm të sportistëve.

Për një qytet që kujton me nostalgji “kohët e arta”, sfida tashmë është që këto kujtime të mos mbeten vetëm histori të së kaluarës, por të shndërrohen në pikënisjen e një rikthimi të ri të sportit himariot.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Aksident tragjik në Golem, përplaset motomjeti me bordurën, humbin jetën dy persona

GOLEM, 25 gusht 2026/Albania Express News/- Një aksident i...

A është lëvizja “Bashkë” një parti marksiste ?

Nga Thoma Gëllçi TIRANË , 25 gusht 2026/Albania Express News/-Për...