Enciklopedia e re Shqiptare po anashkalon historinë e vërtetë të Librazhdit

NGA AVNI ALCANI ,STUDIUES

TIRANË ,17 qershor 2026/Albania Express News/Teksa Akademia e Shkencave ka nisur punën për botimin e ri të “Enciklopedisë Shqiptare” në 10 vëllime, studiuesI që ka kontribuar në hartimin e zërit “Librazhdi” në botimin e parë të vitit 1985 ngre shqetësimin se trevat e Librazhdit rrezikojnë të përfaqësohen sërish në mënyrë të cunguar.

“Enciklopedia Shqiptare” është një vepër referuese që përmbledh njohuritë kryesore për vendin tonë. Ajo shërben si mjet edukimi, studimi dhe ruajtjeje të trashëgimisë kombëtare. Enciklopedia synon të paraqesë në mënyrë të përmbledhur dhe shkencore informacionin mbi historinë, kulturën, gjuhën dhe figurat e rëndësishme shqiptare. Enciklopeditë shkruhen për të mbledhur, ruajtur dhe shpërndarë njohuri të sakta mbi një vend, si historinë, kulturën, gjeografinë, ekonominë, institucionet dhe personalitetet e tij.

Enciklopeditë pasqyrojnë trashëgiminë kulturore dhe shkencore, kujtesën kolektive, të cilat ndihmojnë që njohuritë dhe përvoja historike të ruhen për brezat e ardhshëm, tregojnë zhvillimin, organizimin dhe karakteristikat kryesore të vendit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

 

Në vitin 1985 u botua “Fjalori Enciklopedik Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave të R. S. SH, si i pari botim i karakterit enciklopedik, me një pamje tërësore sistematike shkencore e të gjitha njohurive politike shoqërore dhe ekonomiko-kulturore të popullit shqiptar.
Kam qenë pjesë e Grupit të studiuesve që punuan për zërin “Librazhdi”, bashkë me z. Shahin Zharri (1915-1991) dhe z. Nuredin Hysa. Brënda afatit të përcaktuar u përgatitën të gjitha materialet e “Librazhdi”, siç ishin zërat “Rrethi i Librazhdit”, 2 qytetet, “Qyteti i Librazhdit” dhe “Qyteti i Përrenjasit”, si dhe 19 fshatra: Babje, Bërzeshtë, Dardhë, Dorëz, Funarës, Gurakuq, Hotolisht, Kostenjë, Koshorisht, Kuturman, Lunik, Mirakë, Orenjë, Përrenjas, Polis, Rrajcë, Stravaj, Urakë dhe Zdrajsh.

Grupi punoi me përkushtim dhe me një seriozitet të jashtëzakonshëm, të ndihmuar dhe nga asistenca e prof. dr. Xhevat Lloshi, si përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave për Librazhdin. Na ishte thënë se ne do të ishim një grup i përhershëm dhe se do të përfaqësonim Librazhdin në çdo ribotim.
Në vitin 2008 u bë botimi i Dytë e FESH. Çuditërisht grupi i Librazhdit u anashkalua, d.m.th., nuk u njoftua. Por, nga ana tjetër, materialet për zërin e Librazhdin, që ishin në botimin e vitit 1985, si dy qytetet dhe 19 fshatrat, ishin marrë me kopy paste dhe, me ndonjë retushim të vogël, ishin vendosur në botimin e vitit 2008, me autorë dhe emra të tjerë.

Ndonëse kishin kaluar mbi 23 vite nga botimi i parë i FESH-it dhe ndërkohë ishin botuar disa libra, si dhe ishte krijuar një skedar i botimeve për trevat e Librazhdit nga Biblioteka publike e qytetit, në enciklopedinë e vitit 2008 nuk ishte shtuar asnjë material i ri. Pasqyrimi i trevave të Librazhdit mbeti i cunguar dhe i paplotë, si historia, traditat, personalitetet dhe kultura e saj.
Për shkak të “luftës” absurde të klasave të regjimit të kaluar në Shqipëri, ishte mohuar pasqyrimi i disa prej figurave të rëndësishme shqiptare, me origjinë nga trevat e Librazhdit.

Por, edhe pasi kishin kaluar mbi 16 vjet nga rënia e komunizmit në vitin 1992, sërsh ato figura nuk ishin përfshirë në botimin e vitit 2008, si: Dr. Ibrahim Bërzeshta (1821-1904), i cili ka qenë profesor në Universitetin e Stambollit dhe konsiderohet si themelues i terminologjisë shkencore të mjeksisë turke.
Në vitin 1878 u zgjodh antar i Komitetit shqiptar të Stambollit dhe i “Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqipe”, e cila miratoi arfabetin e gjuhës shqipe me gërma latine, që njihet si “Alfabeti i Stambollit”. Hadajr Blloshmi (-1936), ishte mësuesi i parë i Normales së Elbasanit, me Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Simon Shuteriqin etj. Në vjeshtën e vitit 1912, banorët e trevave të Librazhdit dhe të Kazasë së Starovës, e zgjodhën përfaqësuesin e tyre dhe mori pjesë si delegat në Kuvendin e Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Nga viti 1924 Hajdar Blloshmi ishte antar i Dhomës së Deputetëve i disa legjistaturave. Shaban Blloshmi (1882-1929), i njohur si “mësuesi kaçak”, ishte përhapës i mësimit të gjuhës shqipe dhe i librave shqip. Luftoi me armë në dorë për mbrojtjen e pavarësisë kombëtare të Shqipërisë të rrezikuar nga ushtritë e shovinistëve fqinj serbë, bullgarë, italianë, austohungarezë dhe grekë.

Në vitin 1913 mbrojti me çetën e tij qytetin e Elbasanit kundër klikës feudale vendase që po e përçante vendin. Në vitin 1920 zgjidhet delegat në Kongresin e Lushnjës, duke përfaqësuar rrethin e Starovës (Pogradec), ku bënte pjesë Qukësi e Bërzeshta. Në vitet ’20 u aktivizua me lëvizjet demokratike me grupin “As e pashës dhe as e beut”. Selahudin Blloshmi (1895-1929), ushtarak i njohur, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore shërbeu si kapiten në ushtrinë franko-shqiptare të Republikës së Korçës.

Në nëntor të vitit 1917 caktohet delegat i Komisionit për të negociuar me palën ushtarake greke për përcaktimin e kufinjve shtetëror midis dy shteteve. Në vitin 1919 ishte pjesë e delegacionit në Konferencën e Paqes në Paris, për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare dhe intergritetin e kufijve shtetërorë të Shqipërisë. Gjatë qëndrimit të tij në Paris rastësisht zbuloi një telegram që Nën-drejtori i policisë së Korçës, Oliver, i dërgonte Klubit Ushtarak të Parisit, i cili kishte marrë urdhër për të ikur nga Korça dhe do t’i bënte dorëzimin e qytetit Qeverisë greke.
Selahudini njoftoi kryetarin e delegacionit shqiptar, z. Pandeli Evangjeli, i cili kërkoi një audiencë te presidenti amerikan Uillson. Presidenti Uillson ndërhyri energjikisht pranë qeverisë së Venizellosit, që të hiqte dorë nga veprimi i grekëve për të pushtuar Korçën.

Ka qenë deputet i Parlamentit shqiptar në dy legjistatura, Ishte Ambasadori i parë shqiptar në mbretërinë e Rumanisë. Sami Leka (1922-1979) është një nga intelektualët dhe përkthyesit më të shquar shqiptarë të shek. të 20-të, i cili hodhi themelet në fushën e përkthimeve të literaturës filozofike në Shqipëri.
Mësimet i kreu në Liceun francez të Korçës. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, Sami Leka i ndërpreu studimet për t’u përfshirë në Lëvizjen Antifashiste, si partizan në Çetën e Bërzeshtës, Në vitin 1943, pas themelimit të Batalionit partizan të Bërzeshtës, në moshën 21 vjeçare zgjidhet komandanti i saj, post të cilin e mbajti deri në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 shkoi për të studiuar në një nga Akademitë ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik.
Për shkak të sëmundjes së rëndë, që e kishte marrë nga lufta, në vitin 1948 i ndërpret studimet dhe kthehet në Atdhe. Ishte i pasur me një vullnet të jashtëzakonshëm për përvetësuar gjuhët e huaja, duke zotëronte rreth shtatë gjuhë: si latinisht, italisht, frëngjisht, gjermanisht, rusisht, serbokroatisht dhe rumanisht, të cilat i vuri në shërbim të dijes dhe kulturës shqiptare. Është përkthyesit i një nga veprave më të njohura botërore, “Kapitali” i Karl Marksit dhe vepra të tjera filozofike.

Disa nga librat e përkthyera prej S. Lekës janë: “Kapitali” (Vepra 1 dhe 2), “Ideologjia gjermane”, “Lufta civile në Francë”, “Lufta e klasave në Francë”, “Mari dhe Pier Kyri”, “Mbi gërmadhat e një perandorie” etj.
Siç është bërë e ditur, Akademia e Shkencës e R.SH. ka filluar përgatitjet për botimin e tretë, të veprës madhore, me titull “Enciklopedia Shqiptare” në 10 vëllime me nga 1000 faqe sejcila, d.m.th., me 10000 faqe gjithsej. Jam njohur me listën e Redaksisë së Gjeografisë Sociale dhe me emrat e autorëve që do të merren me Programin e zërit “Librazhdi” (Bashkia e Librazhdit dhe Perrenjasit dhe 11 fshatrat e tyre).
Por ajo që më çuditi shumë ishte numri shumë i kufizuar i fshatrave, prej 11 plus dy qytetet, Librazhd dhe Përrenjas (nga 77 fshatra dhe 2 qytete që kanë këto dy bashki), që do të përfshiheshin në këtë ribotim të ri të Enciklopedisë Shqiptare, kur ky ribotim voluminoz vjen pas 41 viteve nga botimi i FESH dhe 18 vjet pas ribotimit të dytë të FESH.

Unë nuk e di dhe nuk arrij ta kuptoj se mbi çfarë kriteresh janë përzgjedhjedhur fshatrat e Librazhdit që do të përfshihen në “Enciklopedinë e re Shqiptare”.
Në grupin e punës nuk ka asnjë historian, gjë që na siguron përsëri se zëri “Librazhdi” do të dalë sërisht i cunguar, i paplotë dhe i pa përfaqësuar në aspektin historik dhe kulturor. Në listë, p.sh., nuk janë përfshirë fshati Polis, një nga fshatrat më të rëndësishme të trevave të Librazhdit, i cili ka qenë kryeqendra e shtetit të princit Gjergj Araniti në shek. XV.
Në Polis është zbuluar në shek. XIX mbishkrimi më i vjetër në gjuhën shqipe me një alfabet origjinal, i njohur si “Anonimi i Elbasanit”. Po në Polis është zbuluar një sistem numurimi origjinal, i njohur me emrin “Sistemi i numërimit me rabush i Polisit”. Nuk është i përfshirë as fshati Qukës, si qendra administrative më e vjetër e dy trevave (Librazhd dhe Përrenjas), e njohur për stacionet romake dhe për hanet e periudhës mesjetare, ku ka kaluar dhe ka bujtur piktori i njohur britanik, Eduart Lir?!

Nuk ishte përfshirë as fshati Koshorisht, që ka shpellën eremite më të vjetër (shek. XII), më të madhe dhe më të bukur në Shqipëri , e cila është e pikturuar dhe e nënshkruar nga piktori Stano?! Nuk ishte përfshirë fshati Zdrajsh në Çermenikë, që ka qenë qendra atministravive e krahinës, ku është hapur shkolla e parë shqipe në krahinën e Çermenikës në vitin 1916, si dhe shumë fshatra të tjerë të rëndësishëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME