SHBA ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Shtëpia e Bardhë ka publikuar në rrjetet sociale një njoftim ku thuhet se memorandume të deklasifikuara së fundmi tregojnë se FBI hapi një hetim penal ndaj Donald Trump në maj të vitit 2017, pavarësisht se, sipas tyre, provat që dispononte Byroja në atë kohë nuk mbështesnin pretendimet për bashkëpunim me Rusinë.
Në postimin e publikuar në Instagram dhe në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë thuhet se hetimi u hap me dyshimin se Trump kishte shkarkuar ish-drejtorin e FBI-së, James Comey, për shkak se ai ishte një “aset rus”.
Postimi shoqërohet edhe me një citim të gazetarit John Solomon, sipas të cilit: “FBI hapi një hetim penal që synonte në mënyrë specifike Donald Trump në maj 2017, edhe pse provat e vetë Byrosë tregonin në mënyrë dërrmuese se në atë kohë nuk kishte asnjë bashkëpunim me Kremlinin.”
Publikimi i këtyre dokumenteve vjen pas deklasifikimit të disa memorandumeve që lidhen me hetimet e viteve të para të presidencës Trump. Shtëpia e Bardhë e paraqet këtë si provë se hetimi ndaj presidentit të atëhershëm ishte nisur pa baza të mjaftueshme.

