ELBASAN,20 maj 2021,/Albania Express News/Në ambientet e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” u promovua libri studimor “Elbasani, 30 vjet shërbim social”, me autor z. Shefki Lika, një botim që sjell një panoramë të plotë të zhvillimit të shërbimeve sociale në qytetin e Elbasanit përgjatë tre dekadave të fundit.
Në aktivitet morën pjesë personalitete të jetës publike, punonjës të sektorit social, përfaqësues institucionesh, si edhe qytetarë të interesuar për historinë dhe evolucionin e politikave sociale në vend.
Gjatë fjalës së tij, autori Shefki Lika theksoi se ky studim përfaqëson një rrugëtim të gjatë institucional dhe njerëzor, që nis në vitin 1993, me miratimin e ligjit të parë social në Shqipëri, ligjit nr. 7710 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, një akt që shënoi edhe njohjen zyrtare të problematikave të papunësisë, varfërisë dhe fenomeneve të tjera sociale në vend.
Libri analizon në mënyrë të detajuar transformimin e sistemit të shërbimeve sociale në Bashkinë e Elbasanit, duke përfshirë ndryshimet ligjore dhe institucionale ndër vite, si ligji nr. 9355/2005 “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore”, ligji nr.121/2016 “Për shërbimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë” dhe ligji nr.57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”, si edhe një sërë aktesh të tjera nënligjore që kanë rregulluar procedurat dhe trajtimin e shtresave në nevojë.
Një vend të rëndësishëm në studim zë roli i pushtetit vendor dhe përgjegjësitë që Bashkia Elbasan ka marrë në adresimin e problemeve sociale gjatë viteve të tranzicionit. Elbasani, si një nga qytetet më të prekura nga mbyllja e uzinave dhe fabrikave pas viteve ’90, u përball me nivele të larta papunësie dhe varfërie. Megjithatë, sipas autorit, bashkia ka treguar përgjegjshmëri dhe angazhim në përputhje me kapacitetet financiare dhe institucionale, duke zgjeruar vazhdimisht shërbimet dhe mbështetjen për familjet dhe individët në nevojë.
Në libër evidentohen edhe Planet Sociale të hartuara ndër vite, duke nisur nga viti 2005 e më pas në 2009, 2017 dhe në vazhdim, si edhe mbështetja e rëndësishme e partnerëve ndërkombëtarë si UNICEF, UNDP, UN Women dhe Rajoni Italian Emilia-Romagna Region.
Autori sjell gjithashtu të dhëna konkrete që tregojnë ndikimin e zhvillimit ekonomik në uljen e varfërisë. Nëse në vitin 1997 ndihma ekonomike përfshinte rreth 11 mijë familje, në vitin 2022 ky numër kishte zbritur në rreth 5 mijë familje, ndërsa trendi vijon të jetë në ulje.
Një vlerësim të veçantë në studim marrin edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e shtresave vulnerabël, mes tyre Tjetër Vizion, Forumi i Gruas dhe A2B Ndihmë për Ballkanin.
Gjatë promovimit, znj.Elisa Janku,Drejtoresha e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” në Elbasan ,vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm dokumentues dhe historik për qytetin e Elbasanit dhe sektorin social në Shqipëri. Ndërkohë, personalitete të pranishme dhe punonjës të Shërbimit Social Shtetëror shprehën vlerësime për punën kërkimore dhe pasqyrimin profesional të zhvillimeve sociale të qytetit në këtë botim.
Libri “Elbasani, 30 vjet shërbim social” pritet të shërbejë si një referencë e rëndësishme për institucionet vendore, organizatat joqeveritare, studentët dhe studiuesit e fushës sociale, duke dokumentuar sfidat, arritjet dhe transformimet e një sektori jetik për komunitetin.


