Ekzekutoi shokun në Paskuqan, RENEA në kërkim të Sadik Llanajt; në vendngjarje u gjetën 11 gëzhoja, dyshohet konflikt me rrënjë më të thella

TIRANË ,9 qershor 2026/Albania Express News/Forcat speciale RENEA dhe strukturat e Policisë së Tiranës vijojnë operacionin për kapjen e Sadik Llanajt, autorit të dyshuar të vrasjes së 27-vjeçarit Ardian Baloshi, krim i ndodhur një ditë më parë në zonën e Paskuqanit.

Sipas burimeve hetimore, kontrollet janë përqendruar kryesisht në zonën e Bovillës, ku dyshohet se është larguar autori pas ngjarjes. Megjithatë, deri më tani efektivët nuk kanë mundur ta lokalizojnë apo ta vënë në pranga.

Gjatë operacionit, policia ka gjetur dhe sekuestruar automjetin që dyshohet se është përdorur nga autori në momentin e krimit. Ndërkohë, arma me të cilën u krye vrasja nuk është gjetur ende, çka ngre dyshime se Llanaj mund të vazhdojë të lëvizë i armatosur.

Në vendin e ngjarjes grupi hetimor ka sekuestruar 11 gëzhoja, ndërsa janë mbledhur edhe prova të tjera materiale që pritet të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

Një rol të rëndësishëm në hetim kanë marrë dëshmitë e personave që ndodheshin pranë viktimës në momentin e atentatit. Sipas tyre, autori është afruar me automjet drejt rrugës ku po lëvizte 27-vjeçari dhe ka hapur zjarr nga makina në lëvizje. Më pas, ai ka zbritur dhe ka vijuar ndjekjen e të rinjve në këmbë, duke qëlluar sërish në drejtim të tyre.

Nga dëshmitë e mbledhura rezulton se mes autorit të dyshuar dhe viktimës kishte pasur një konflikt verbal rreth një vit më parë. Megjithatë, ky motiv nuk i ka bindur plotësisht hetuesit, të cilët po verifikojnë pista të tjera dhe dyshojnë se mes palëve mund të kenë ekzistuar mosmarrëveshje më të thella, të lidhura me aktivitete të paligjshme.

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa policia është angazhuar në kërkimin e autorit për ta vënë përpara përgjegjësisë penale dhe për të zbardhur plotësisht motivet e kësaj vrasjeje që ka tronditur zonën e Paskuqanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME