Çiklizmi shqiptar shkëlqen në Kampionatin Ballkanik 2026, Valentino Kamberaj shpallet kampion dhe i dhuron Shqipërisë medaljen e artë

KOSOVË,9 qershor 2026/Albania Express News/Çiklizmi shqiptar ka regjistruar një nga sukseset më të rëndësishme të viteve të fundit në arenën ndërkombëtare, duke u paraqitur në mënyrë të shkëlqyer në Kampionatin Ballkanik 2026, i zhvilluar përgjatë tre ditëve në Kosovë.

Përfaqësuesja kuqezi arriti të sigurojë një medalje ari dhe një medalje argjendi, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të nivelit të çiklizmit shqiptar dhe potencialin e sportistëve të rinj në garat rajonale.

Suksesi më i madh u arrit në kategorinë Elite, ku Valentino Kamberaj zhvilloi një performancë të jashtëzakonshme dhe u kurorëzua Kampion Ballkani, duke fituar medaljen e artë dhe duke ngritur flamurin shqiptar në majën e podiumit. Triumfi i tij ishte rezultat jo vetëm i cilësive individuale, por edhe i punës së shkëlqyer ekipore dhe strategjisë së ndërtuar gjatë gjithë garës.

Një kontribut të rëndësishëm në këtë sukses dhanë edhe bashkëlojtarët Gabriele De Fabritis, Bekim Tafili, Leo Piku, Olsian Veliaj dhe Alesio Kola, të cilët me përkushtimin, sakrificat dhe bashkëpunimin e tyre mbështetën në mënyrë vendimtare rrugëtimin drejt medaljes së artë.

Një tjetër rezultat prestigjioz për ngjyrat kuqezi erdhi në kategorinë U-19 (Junior), ku Leonardo Musta zhvilloi një garë shumë të fortë dhe siguroi medaljen e argjendtë, duke u renditur i dyti mes çiklistëve më të mirë të Ballkanit dhe duke dëshmuar potencialin e madh të brezit të ri shqiptar.

Në Kampionatin Ballkanik 2026, Shqipëria u përfaqësua në kategorinë Elite nga Gabriele De Fabritis, Bekim Tafili, Valentino Kamberaj, Leo Piku, Olsian Veliaj dhe Alesio Kola. Në kategorinë U-19 garuan Leonardo Musta, Domenik Jaku, Gabriel Gashi dhe Markelian Bedulla, ndërsa në kategorinë U-17 ngjyrat kuqezi u mbrojtën nga Nedion Demiri, Muhamed Lemeti, Luis Margjoni dhe Nikolas Persiani.

Merita të veçanta për këtë paraqitje të suksesshme i takojnë edhe stafit teknik, me trajnerët Mejdin Malhani dhe Luan Sallaku, të cilët drejtuan ekipin kombëtar me profesionalizëm dhe përkushtim gjatë gjithë fazës përgatitore dhe në zhvillimin e garave.

Federata Shqiptare e Çiklizmit, nën drejtimin e presidentit Skënder Anxhaku, e cilësoi këtë paraqitje si një moment të rëndësishëm për sportin shqiptar, duke theksuar se medalja e artë e Valentino Kamberajt dhe medalja e argjendtë e Leonardo Mustës përbëjnë një sukses historik dhe një motivim të madh për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.

Presidenti i FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, shprehu gjithashtu mirënjohjen për komunitetin e Ferizajt në Kosovë për mikpritjen dhe organizimin, si edhe falënderoi Unionin Ballkanik të Çiklizmit, presidentin e BCU-së, Federatën Evropiane dhe Federatën Botërore të Çiklizmit për mbështetjen dhe kontributin e tyre në zhvillimin e këtij aktiviteti të rëndësishëm sportiv.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME