TIRANË, 10 qershor 2026 /Albania Express News/ – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha mblodhi sot grupin parlamentar.
Në fjalën e tij, në hapje të mbledhjes së grupit parlamentar demokrat, Berisha tha se ka kërkuar nga Partia Popullore Evropiane mbështetje ndërkombëtare për protestat qytetare, të cilat, sipas tij, mbështeten plotësisht nga forca politike që ai drejton.
Ai tha se “ka paraqitur situatën reale në Shqipëri, ku dhjetëra-mijëra dhe qindra-mijëra qytetarë janë ngritur kundër regjimit. Janë ngritur me kërkesa të drejta: dorëheqjen e Edi Ramës dhe anulimin e atyre ligjeve që janë një shkelje flagrante e ligjeve kushtetuese të vendit dhe direktivave kryesore të Komisionit Europian për mjedisin, për trashëgiminë kulturore, për mbrojtjen e natyrës”.
“Denoncova me forcën më të madhe qëndrimin e papërgjegjshëm të Edi Ramës ndaj protestuesve, si dhe kërcënimet, talljet, fyerjet dhe etiketimet që ai u bën protestës rinore e qytetare më të fuqishme që ka njohur vendi. Kërkova nga drejtuesit e Partisë Popullore Evropiane dhe të pranishmit të ushtrojnë të gjithë autoritetin e tyre, në mënyrë që kriza e thellë që ka mbërthyer vendin, tashmë në sallën e urgjencës, të zgjidhet në mënyrë paqësore: me largimin e Edi Ramës dhe krijimin e një qeverie teknike për të përgatitur zgjedhje të reja”, vijoi Berisha.
Ai tha se ka kërkuar mbështetje ndërkombëtare për këto protesta. “Ndaj qytetarët shqiptarë duhet të mbështeten. Nuk duhet të shkohet pas në hapa të tjerë dhe nuk mund të përdoret dhuna ndaj tyre, përveç përmbushjes së kërkesave politike. Informova audiencën se kjo protestë nuk është e thirrur nga Partia Demokratike, por mbështetet plotësisht prej saj, dhe shpjegova arsyet: kërkesat janë të drejta, ndaj ne qëndrojmë në mbështetje të tyre”, nënvizoi Berisha.

