TIRANË, 14 qershor 2026/Albania Express News/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shprehu sot bindjen se lëvizja qytetare do ta realizojë qëllimin e saj, largimin e Edi Ramës.
Në një videomesazh, Berisha u shpreh se “në protestën e mbrëmshme në Tiranë, 200 mijë shqiptarë kërkuan dorëheqjen e Edi Ramës”.
“Dje Tirana njohu protestën më të fuqishme në tërë ekzistencën e saj, mbase 200 mijë qytetarë vërshuan në sheshet dhe rrugët e saj në kërkesën për dorëheqjen e Edi Ramës. Por siç ka faktuar historia, diktatorët të verbuar nga pushteti nuk dëgjojnë të tjerët, nuk njohin realitetin dhe së fundi nuk marrin ndonjëherë vendime të drejta”, tha Berisha.
Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për protestën, Berisha u shpreh se Rama duhet të japi dorëheqjen që të vijnë turistët.
“Ai sot në monologun e tij u rrek përsëri të fajësojë protestën për turizmin, madje solli edhe shembuj të agjencive që protestojnë, e vërteta është se antimitingjet e Ramës por edhe të ndonjë agjencie janë të tëra akte antidemokratike mbasi armiku numër 1 i turizmit në Shqipëri sot për sot është Edi Rama. Jep dorëheqjen që të vijnë turistët meqenëse ti e shtrove në çështje kryesore”, tha Berisha.
Sipas tij, “protestuesit janë në një mision të madh të përmbysjes së diktaturës autokratike”.
“Ndaj dhe ka vetëm një rrugë, jep dorëheqjen në mënyrë që kjo verë të shtrohet në verën e fitores së demokracisë, fitores së shqiptarëve. Po në protestë ka dhe do ketë banorë, qytetarë shqiptarë që nuk banojnë në Shqipëri, që banojnë në Kosovë, Maqedoni, por që banojnë në mbarë Europën dhe botën. Shqipëria është dheu i dashur i tyre dhe ata përjetojnë në dhimbje të madhe dramën e tmerrshme që i krijove këtij vendi duke përzënë nga Shqipëria si me platformën e Vaso Çubrilloviçit dy herë më shumë se sa serbët në Kosovë duke përzënë vetëm në hapësirën e Bashkimit Europian 1 milion e 100 mijë shqiptarë në 10 vite”, tha Berisha.
Berisha shprehu bindjen se “lëvizja qytetare do të fitojë sepse është një lëvizje çlirimtare në raport me diktaturën autoritare”.
“Fole se dy gjëra nuk negocion ti, të ardhurat dhe rritjen ekonomike. Po ato të ardhura i përvetëson ti dhe oligarkët e tu kurse shqiptarëve u ngelen thërrime. Ndaj dhe ajo që mbetet të bësh, akti më i rëndësishëm, jep dorëheqjen sa nuk është vonë. Ky revolucion, kjo protestë, kjo lëvizje nuk ka të ndalur, do realizojë plotësisht misionin e saj”, tha ai.

