“Bashkia Cërrik nuk duhet të zhduket”/ Zëra kundër bashkimit territorial me Elbasanin: Vendimet për të ardhmen e qytetarëve të merren me transparencë

CËRRIK ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Thirrje për ruajtjen e Bashkisë Cërrik dhe kundërshtim ndaj çdo ndryshimi territorial që mund të prekë këtë zonë kanë ardhur nga figura publike lokale dhe përfaqësues politikë të majtë e të djathtë.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale nga përfaqësues të komunitetit dhe figura të rëndësishme publike të bashkisë, u bëhet apel banorëve të Cërrikut, Gostimës, Mollasit, Klosit dhe Shalësit që të jenë të bashkuar për mbrojtjen e strukturës aktuale administrative.

“E ardhmja e Bashkisë sonë varet nga ne dhe nga angazhimi ynë i përbashkët, pa asnjë dallim i majtë apo i djathtë. Vendimet për shtëpinë tonë nuk mund të merren kurrsesi larg nesh”, thuhet në mesazh, duke nënvizuar nevojën që çdo vendim për reformën territoriale të konsultohet me qytetarët.

Edhe anëtarja e Këshillit Bashkiak Cërrik, përfaqësuese e opozitës së djathtë, Gazmira Frakulla, ka reaguar përmes një postimi, duke argumentuar se ruajtja e bashkisë lidhet drejtpërdrejt me mbrojtjen e shërbimeve, ekonomisë lokale dhe identitetit të zonës.

“Vendimi për të ardhmen e Bashkisë Cërrik i përket banorëve të saj. Çdo ndryshim kufijsh duhet të kalojë përmes dëgjesave publike dhe transparencës së plotë”, shkruan Frakulla.

Sipas saj, bashkimi i Cërrikut me Elbasanin do të rrezikonte që kjo zonë të kthehej në një “lagje periferike”, duke dobësuar përfaqësimin dhe duke larguar shërbimet nga qytetarët.

Në argumentet e paraqitura kundër një bashkimi të mundshëm territorial përmenden disa pika kryesore:

Shërbimet më larg qytetarëve

Bashkia Cërrik shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 189.65 kilometra katrorë dhe përfshin qytetin e Cërrikut dhe katër njësi administrative rurale: Mollas, Klos, Gostimë dhe Shalës. Sipas kundërshtarëve të reformës, një bashkim me Elbasanin do të sillte vështirësi për banorët e zonave rurale, të cilët do të duhet të udhëtojnë më shumë për shërbime administrative si dokumente, leje apo ankesa.

Ata argumentojnë se Cërriku aktualisht funksionon si një qendër natyrore për njësitë përreth dhe se zhvendosja e vendimmarrjes drejt Elbasanit do të dobësonte lidhjen mes qytetarëve dhe administratës.

Rreziku për investimet rurale dhe bujqësinë

Një tjetër shqetësim i ngritur lidhet me shpërndarjen e fondeve dhe prioritetet e zhvillimit. Përfaqësuesit që kundërshtojnë bashkimin shprehen se nevojat e një qyteti të madh si Elbasani mund të marrin përparësi ndaj investimeve në zonat rurale të Cërrikut.

Sipas tyre, fermerët, projektet e bujqësisë, ujitjes, kanalizimeve dhe agroturizmit në zonat e Sulovës dhe Cërrikut mund të mos kenë të njëjtën vëmendje në një bashki më të madhe.

Humbja e përfaqësimit politik

Një tjetër argument i ngritur është dobësimi i zërit të banorëve të Cërrikut në institucionet vendimmarrëse. Sipas tyre, në një Këshill Bashkiak më të madh, përfaqësuesit nga zona e Cërrikut do të kishin një peshë më të vogël dhe do të ishte më e vështirë të sigurohej mbështetje për projektet lokale.

Ruajtja e identitetit lokal

Përfaqësuesit e kësaj nisme theksojnë gjithashtu se Cërriku ka një histori të konsoliduar administrative dhe një identitet të veçantë social, ekonomik e kulturor, i cili duhet të ruhet.

Ata ngrenë shqetësimin se ndryshimet territoriale mund të ndikojnë edhe në identifikimin dhe mbështetjen e familjeve në nevojë, veçanërisht në zonat më të largëta rurale, përfshirë aksesin ndaj ndihmës ekonomike dhe shërbimeve sociale.

Reagimet vijnë në një kohë kur reforma territoriale ka rikthyer debatet në disa bashki të vendit, ku qytetarë dhe përfaqësues vendorë po kërkojnë që çdo ndryshim të bëhet pas konsultimit të gjerë me komunitetet lokale.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Skënderbeu “tregon dhëmbët” në miqësore, korçarët e Juljan Ahmatajt mposhtin Besën

KORÇË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Skënderbeu i Korçës ka...

Debutimi i Zidane me “Gjelat”, shiten 80.000 bileta për 24 orë, për ndeshjen Francë–Itali

FRANCË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Epoka e re e...