Konsultim publik për ndryshimet në ligjin e strehimit social, propozohet Garancia Sovrane për blerjen e banesave

TIRANË, 01 gusht 2026 /Albania Express News/ -Qeveria ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për strehimin social”, i cili synon modernizimin e skemave të mbështetjes për strehimin dhe rritjen e aksesit të qytetarëve në banesa të përballueshme.

Projektligji propozon zgjerimin e burimeve të financimit për programet e strehimit social, duke kombinuar fondet publike me investimet private. Një nga risitë kryesore është zhvillimi i projekteve me destinacion të kombinuar, ku në të njëjtin kompleks do të ndërtohen banesa sociale me qira, banesa me kosto të ulët dhe apartamente për tregun e lirë. Të ardhurat nga shitja e banesave për tregun do të përdoren për financimin dhe zgjerimin e fondit të banesave sociale.

Një tjetër risi e projektligjit është krijimi i Garancisë Sovrane, si instrument mbështetës për kreditë e lehtësuara për blerjen e banesave. Sipas draftit, garancia do të mbulojë deri në 30% të vlerës së banesës, duke synuar të lehtësojë aksesin në financim për familjet që hasin vështirësi në marrjen e kredive bankare.

Projektligji parashikon gjithashtu zgjerimin e kategorive përfituese nga programet e strehimit. Përmes rishikimit të kriterit të të ardhurave për banesat me kosto të ulët, synohet përfshirja edhe e familjeve të shtresës së mesme, të cilat, sipas relacionit shoqërues, nuk arrijnë të përballojnë çmimet aktuale të tregut të banesave.

Ndryshimet krijojnë bazën ligjore edhe për programe të posaçme të subvencionimit të qirasë për kategori të veçanta, si dhe rrisin rolin e sektorit privat në krijimin dhe zgjerimin e fondit publik të banesave sociale.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, ndryshimet synojnë të krijojnë një model më të qëndrueshëm të politikave të strehimit, duke ulur varësinë nga financimi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit dhe duke nxitur investimet në këtë sektor.

Në vlerësimin financiar, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit thekson se Garancia Sovrane nuk përbën një shpenzim të menjëhershëm për buxhetin e shtetit, por një detyrim potencial që aktivizohet vetëm në rastet e parashikuara në skemë. Për rreth 4 100 familje përfituese, kostoja e vlerësuar e kësaj garancie llogaritet në rreth 231 milionë lekë.

Projektligji do t’i nënshtrohet procesit të konsultimit publik përpara se të kalojë për shqyrtim dhe miratim në Këshillin e Ministrave e më pas në Kuvend.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Shpërthim i fuqishëm pranë një kafeneje në qendër të Moskës, tre të vdekur dhe 15 të plagosur

MOSKË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Tre persona humbën jetën...

“Duhet ta bëjmë këtë hap”, Trump nuk heq dorë nga Groenlanda: Mund të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së

SHBA ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti amerikan Donald Trump...

Skënderbeu “tregon dhëmbët” në miqësore, korçarët e Juljan Ahmatajt mposhtin Besën

KORÇË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Skënderbeu i Korçës ka...