KORÇË ,01 gusht 2026/Albania Express News/-Skënderbeu i Korçës ka regjistruar fitoren e parë në fazën përgatitore, duke dhënë sinjale pozitive përpara nisjes së sezonit të ri. Skuadra korçare e drejtuar nga trajneri Juljan Ahmataj ka mposhtur Besën e Kavajës me rezultatin 2-1, në miqësoren e zhvilluar në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”.
Pas dy rezultateve negative në testet e para, ndaj Strugës dhe Partizanit, bardhekuqtë kanë reaguar duke zhvilluar një paraqitje më bindëse dhe duke marrë suksesin e parë në këtë periudhë përgatitore.
Skënderbeu e nisi vrullshëm takimin dhe gjeti golin që në minutat e para. Ishte Braga ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 8-të, duke i dhënë avantazhin skuadrës korçare. Vetëm 10 minuta më vonë, Bismark dyfishoi shifrat, duke e çuar rezultatin në 2-0 dhe duke vendosur një kontroll të qartë të lojës nga vendasit.
Në pjesën e parë, Skënderbeu u shfaq më kërkues, duke krijuar raste dhe duke treguar më shumë ritëm në fazën sulmuese. Trajneri Ahmataj shfrytëzoi këtë test për të provuar elementët e rinj dhe për të parë gjendjen fizike e taktike të grupit.
Në fraksionin e dytë të lojës, Besa kërkoi të rikthehej në sfidë dhe ia doli të shkurtojë diferencën vetëm në fund. Kavajasit fituan një 11-metërsh, të cilin Spahiu e transformoi në gol në minutën e 90-të, duke vendosur rezultatin përfundimtar 2-1.
Pavarësisht golit të pësuar në fund, Skënderbeu mori një sinjal pozitiv nga kjo miqësore, ndërsa stafi teknik vijon punën për të ndërtuar skuadrën që do të garojë në sezonin e ri.
SKËNDERBEU – BESA 2-1
⚽ Braga 8’
⚽ Bismark 18’
⚽ Spahiu 90’ (p)

