VLORË ,18 korrik 2026/Albania Express News/-Një aksident i rëndë ka tronditur mbrëmjen e së shtunës qytetin e Vlorës, ku ka humbur jetën gazetari i njohur Enrik Mehmeti, 40 vjeç. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 21:40, në zonën e Porto Noves, pranë Zvërnecit, në një sipërfaqe bregdetare jashtë zonës rrugore.
Sipas të dhënave paraprake të Policisë, Enrik Mehmeti po drejtonte një motomjet me katër rrota, kur dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij. Mjeti është përmbysur, duke i shkaktuar gazetarit dëmtime shumë të rënda.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. Mehmeti u transportua me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për t’i shpëtuar jetën, ai nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.

Në motomjet ndodhej edhe një pasagjer, shtetasi me inicialet K. S., 18 vjeç, i cili ka mbetur i lënduar lehtë. Sipas Policisë, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Verifikimet paraprake tregojnë se aksidenti ka ndodhur jashtë zonës rrugore dhe nuk ka pasur përfshirje të mjeteve të tjera apo përdoruesve të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Humbja e Enrik Mehmetit ka shkaktuar dhimbje të thellë në komunitetin mediatik dhe në qytetin e Vlorës, ku ai njihej si një gazetar i përkushtuar dhe i respektuar. Mesazhe ngushëllimi kanë nisur të publikohen nga kolegë, miq dhe qytetarë, të cilët shprehin trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të 40-vjeçarit.

