VLORË,20 maj 2026/Albania Express News/Reagimi i biznesmenit dhe ish-presidentit të Kosovës, Behgjet Pacolli, lidhur me situatën e krijuar në aeroportin e Vlorës, ka sjellë një deklaratë të fortë publike, ku ai ngre akuza për ndërhyrje të padrejtë të shtetit dhe shpreh shqetësimin për mënyrën sesi, sipas tij, po trajtohen investitorët dhe punëtorët në Shqipëri.
Në një postim të gjatë në rrjetin social Facebook, Pacolli tregon se ndodhet në Astana, ku është kontaktuar nga një gazetar shqiptar, i cili e ka pyetur se çfarë do të ndodhë tashmë me aeroportin, pas ndërhyrjes së Policisë së Shtetit. Ai përgjigjet se objektet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kishte ndarë nga projekti më 24 gusht dhe që ishin caktuar për t’u përfunduar nga kompania MABCO, sipas tij, tashmë janë finalizuar plotësisht.
Pacolli thekson se prej muajit mars, kompania e tij ka vijuar punimet përfundimtare, pastrimin e ambienteve dhe sistemimin e gjelbërimit përreth aeroportit, ndërkohë që pritej përmbushja e detyrimeve nga pala VIA. Ai nënvizon se aeroporti është ndërtuar ekskluzivisht me financimet e tij personale, duke deklaruar se në projekt janë investuar mbi 310 milionë euro, si dhe janë angazhuar garanci të konsiderueshme financiare.
Në deklaratën e tij, ai përmend edhe emrin e Valon Ademit, duke theksuar se vetëm si punëkryes ka përfituar mbi 35 milionë euro nga garancioni i MABCO-s. Megjithatë, Pacolli shprehet se nuk dëshiron të përballet me shtetin, edhe pse sipas tij, mënyra se si është përdorur autoriteti shtetëror është “joligjore dhe e papranueshme për një vend që pretendon të jetë shtet ligjor”.
“Aeroportin le ta marrin”, shkruan ai, duke shtuar se koha do të tregojë të vërtetën mbi atë që ka ndodhur.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të tij lidhet edhe me fatin e punëtorëve dhe nënkontraktorëve të angazhuar në projekt. Pacolli garanton se të gjitha detyrimet financiare ndaj tyre do të shlyhen deri në centin e fundit, ndërsa shton se stafi dhe ekspertët e kompanisë do të tentohen të sistemohen në projekte të tjera jashtë vendit.
Por sipas tij, dëmi më i madh nuk është financiar. Ai ndalet te aspekti moral dhe njerëzor, duke deklaruar se ndërhyrja e policisë ka cenuar rëndë dinjitetin e punëtorëve që kanë kontribuar në ndërtimin e aeroportit. Pacolli thotë se në kantier kanë mbetur pajisje pune, materiale personale, instrumente, kasaforta dhe dokumentacione të ndryshme, ndërsa punonjësit janë ndjerë të poshtëruar nga mënyra sesi është vepruar.
Në fund të reagimit, Pacolli paralajmëron se çështjet materiale mund të zgjidhen me ligj, por dëmi ndaj besimit te shteti dhe imazhit të Shqipërisë përballë investitorëve ndërkombëtarë është shumë më i vështirë për t’u riparuar. Ai thekson se do të vazhdojë të mbrojë interesin e punëtorëve, të investimeve dhe parimin që shteti duhet të jetë garant i ligjit dhe jo, siç shprehet ai, “instrument presioni ndaj atyre që punojnë, ndërtojnë dhe investojnë”.

