Radioamatorizmi, një sport që për shumëkënd duket i veçantë dhe i largët, ka qenë për dekada të tëra pjesë e historisë sportive të Elbasanit. Në mesin e atyre që i kanë dhënë jetë dhe vazhdimësi këtij sporti është edhe Drini Dervishi, një emër i njohur si sportist e si trajner. Prej afro 45 vitesh ai nuk është shkëputur asnjë ditë nga pasioni për këtë sport, duke e kthyer atë jo vetëm në një hobi personal, por edhe në një mision për të frymëzuar brezin e ri.
Drini e nisi rrugëtimin e tij në fillim të viteve ’80, kur ende fëmijë u bë pjesë e ekipit të pionierëve të Elbasanit. Me një përkushtim të pazakontë, ai arriti të shpallej kampion për pionierë në vitin 1982, një arritje që i hapi rrugën drejt shumë suksesesh kombëtare e ndërkombëtare. Sot, ai kujton me emocion jo vetëm vitet e para, por edhe gjithë sakrificat dhe sfidat që e kanë shoqëruar në këtë rrugëtim.
Si sportist, Dervishi ka përfaqësuar Shqipërinë në kampionate Ballkanike, Europiane dhe Botërore, duke arritur rezultate të larta, mes të cilave një vend të dytë në Ballkan dhe një vend të tretë në Europë. Por përveç rezultateve personale, ai ndjehet po aq krenar për rolin si trajner i ekipit të Elbasanit, ku ka formuar sportiste të reja që kanë sjellë tituj kampionë për qytetin dhe vendin.
Në këtë intervistë, ai rrëfen me pasion rrugëtimin e tij, sfidat e sportit të radioamatorizmit në Shqipëri, mungesën e mbështetjes institucionale, por edhe shpresën e madhe që ky sport të marrë vëmendjen që meriton dhe të bëhet pjesë e jetës së shumë të rinjve.
Z. Dervishi, kur nisi pasioni për sportin e radioamatorizmit?
Me sportin e radioamatorizmit jam njohur në fillim të viteve ’80, pra kam rreth 45 vite. Në ato vite sporti i radioamatorizmit vlerësohej shumë dhe mbaj mend që për këtë sport, për herë të parë, lexova në gazetën Sporti Popullor. Pastaj i shihja fotot e sportistëve kampionë radioamatorë në stendat tek muri i kalasë së Elbasanit, apo në anketën e 10 sportistëve më të mirë të qytetit që zhvillohej çdo vit.
Në ato vite të para, trajnerët Hyqmet Shypheja, Fatos Demeti e Bujar Mema shkonin nëpër shkolla dhe prezantonin tek nxënësit sportin e radioamatorizmit, dhe ne, një grup nxënësish nga shkolla “Qamil Guranjaku”, u futëm në ekipin e pionerëve. Në ekip kishte edhe plot fëmijë nga shkollat e tjera të qytetit. Trajnerët punonin me përkushtim dhe e pëlqeva këtë sport që në ditët e para e nuk jam shkëputur për 45 vjet.
Në vitin 1982 kam dalë kampion për pionierë në kampionatin kombëtar që u zhvillua në Berat, me trajner Hyqmet Shypheja, dhe që atëherë pasioni për këtë sport u shumëfishua.
Sa e vështirë është të merresh me këtë sport të veçantë?
Radioamatorizmi është sport i inteligjencës dhe, që të ecësh përpara, duhet të punosh shumë orë në ditë me programet kompjuterike. Ka lodhje, por ka edhe kënaqësi, sidomos për ata radioamatorë që lidhen e komunikojnë me radioamatorët e gjithë botës. Vështirësitë janë më shumë për bazë materiale, sepse teknologjia ecën dhe dalin aparatura të reja.
Cilat kanë qenë disa nga rezultatet më të mira tuajat?
Kam marrë pjesë në shumë kampionate kombëtare, ballkanike, europiane e botërore. Rezultatin më të mirë e kam arritur në vitin 2021, ku kam dalë nënkampion Ballkani, në vendin e 3-të në Europë dhe në vendin e 7-të në kampionatin botëror të Malit të Zi.
Nga viti 2015 deri tani kam marrë pjesë në disa kampionate botërore e europiane dhe jam krenar që kam përfaqësuar denjësisht Shqipërinë.
Ju, përpos sportist, jeni edhe trajner i ekipit të Elbasanit. Si është situata me këtë sport në Elbasan dhe Shqipëri?
Sporti i radioamatorizmit në Elbasan ka një traditë shumë të mirë dhe ka rezultate të mira. Për vitin 2025 kampione Shqipërie doli Mimoza Balliu, në 2024 Anila Shati dhe në 2023 Elvira Sherali, të treja të RadioSport-Elbasani.
Këto sportiste kanë edhe rezultate shumë të mira ndërkombëtare, por ama nuk kanë marrë asnjë shpërblim nga Ministria e Sporteve apo nga Këshilli Bashkiak Elbasan për rezultatet e arritura që kanë nderuar qytetin e Elbasanit apo kanë ngritur lart flamurin shqiptar.
Në Shqipëri kemi sportistë shumë të mirë edhe të ekipeve të tjera që dhanë rezultate të mira në kampionatin e vitit 2025, si Kujtim Çela i Krujës, kampion për meshkuj, Jorgo Gjoni i Partizanit apo dhe sportistë të rinj me shumë të ardhme, si Armend Aliaj dhe Desara Dani të ekipit të Burrelit.
Sa e vështirë është për të afruar brezin e ri të merret me radioamatorizëm?
Ka plot të rinj që fillojnë e mësojnë programet kompjuterike të radioamatorizmit pranë gjimnazit “Vasil Kamami” dhe shkollës “Ptoleme Xhuvani”. Ecin mirë, por demotivohen kur shohin që ky sport nuk vlerësohet si duhet nga shteti.
Sipas ligjit, kur ekipi del kampion kombëtar, i takojnë 500.000 lekë të reja, kurse si individ 100.000 lekë të reja, por asnjëherë nuk i kemi marrë. Sporteve të tjera u japin shpërblime dhe sponsorë, kurse radioamatorëve asgjë.
Nga ndryshon periudha para viteve ’90 dhe pas viteve ’90?
Ka një ndryshim shumë të madh, pasi tani ka hyrë teknologjia dhe rezultatet e sportistëve janë shumë herë më të mira se ato të para viteve ’90. Tani stërvitja, garat e marrjes bëhen me programe kompjuterike dhe transmetimi me tasto elektronike horizontale, e shpejtësia e transmetimit është rritur shumë.
Megjithatë, pas një pauze të gjatë, duket se vitet e fundit ky sport po rikthehet në vëmendje?
Nga viti 1995 deri në vitin 2015 pati një pauzë në këtë sport dhe kishte vetëm radioamatorë që punonin në mënyrë individuale. Vetëm 10 vitet e fundit është bërë përpjekje për riaktivizimin e ekipeve në qytete të ndryshme.
U krijua në 2015 federata e re, me president Hyqmet Shypheja e sekretar Fatos Demeti, kurse tani federata ka president Florian Gjonej e sekretar Edmond Budo. Federata duhet të punojë për të shtuar ekipet, pasi para viteve ’90 kemi pasur 14 ekipe në kategorinë e parë dhe 14 në kategorinë e dytë.
Si kontingjent i Kombëtares, çfarë mund të presim sa i përket rezultateve?
Ekipi kombëtar i radioamatorëve në këto 10 vitet e fundit ka marrë pjesë në 6 kampionate botërore e shumë kampionate europiane e ballkanike. Ekipi ka sportistë me rezultate të larta dhe ka arritur deri në nënkampion Ballkani, vendin e tretë në Europë dhe vendin e gjashtë në botë.
Për rezultatet individuale kemi edhe disa rezultate në vendin e tretë apo të katërt në botë në gara individuale.
Më 15-19 tetor 2025 do të zhvillohet kampionati botëror në Mal të Zi dhe pjesëmarrja e ekipit varet vetëm nga fondet që do të japë Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sporteve. Po shkuan shumë sportistë, ekipi zë vend të mirë, pasi ekipi i plotë ka 27 sportistë të ndarë në 9 kategori moshash.
Sportistët janë për çdo kategori, por duhen fonde për akomodimin e tyre në Mal të Zi. Lutemi edhe tek sponsorët që të ndihmojnë ekipin tonë kombëtar me financime për të shkuar në këtë botëror.
Si e shihni të ardhmen e këtij sporti, drejt zhdukjes apo ka shpresë se do të ketë vëmendjen e duhur edhe nga institucionet?
E ardhmja e sportit të radioamatorizmit do të jetë shumë e mirë nëse institucionet shtetërore do ta kthejnë vëmendjen nga ky sport, pasi të rinjtë e pëlqejnë teknologjinë, pëlqejnë programet e kompjuterave dhe pse jo, të konkurrojnë me bashkëmoshatarët e tyre nga gjithë bota.
Është sport që i bën të rinjtë më të zgjuar, larg veseve të këqija, ndaj duhet të futet gjerësisht në programet e shkollave dhe qendrave komunitare. Në çdo qytet të jepen ambiente shkolle dhe aparate, që nuk kushtojnë shumë, pasi ato laptopë e pajisje i shërbejnë edhe procesit mësimor.
Intervistoi: Vladimir Mema
NJE ENTERVISTE SHUM E KENDESHME. KOMPLIMENTI. EDHE UN JAM NJE RADIOAMATORE VETERANE. SUKSESE TRAINERIT TE ELBASANIT Z: DRINI DERVISHI. MENDOJ QE: RADIO AMATORIZMI NE SHQIPERI DUHET TE NDIHMOHET. ESHTE NJE SPORT ME SHUM IMPENJO DHE DIREKT ME KOMPJUTER. PRA ESHTE SPORT : INTELIGJENT. FALEMINDERIT.
Komplimenti trainerit te ELBASANIT Z: DRINI DERVISHI. KY SPORT ESHTE NJE SPORT ME SHUM IMPENJO DHE KA TE BEJ DIREKT ME PROGRAME ME KOMPJUTER. NJE SPORT I MREKULLUESHEM. INTELIGJENT. MENDOJ DUHET TE NDIHMOHET RADIO AMATORIZMI SHQIPETARE SI TE GJITH SPORTET E TJERA. FALEMINDERIT