Shqipëria vijon të mbajë mbi shpinë një trashëgimi të rëndë ndotjeje, të krijuar nga dekada aktivitetesh industriale, minerare dhe bujqësore. Raportet zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të Planit Kombëtar për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve 2020–2035 identifikojnë disa “pika të nxehta”, të cilat përbëjnë rrezik serioz si për mjedisin, ashtu edhe për shëndetin e popullatës.
Elbasani, një nga zonat më të ndotura
Kompleksi metalurgjik i Elbasanit renditet ndër më problematikët, me mbi 1.5 deri në 2 milionë ton mbetje të metaleve të rënda, si ferronikel e ferrokrom, që kanë ndotur ndjeshëm lumin Shkumbin. Po në Elbasan, zona e Balëzit mbetet e ngarkuar me dikloremetan, kripëra arseniku dhe nitrate amoni, të cilat edhe pas eksportimit të pjesshëm për asgjësim, vijojnë të jenë të depozituara në mënyrë të pasigurt.
Gjurmët e industrisë minerare
Industria e bakrit ka lënë pasoja të rënda në Rrëshen, Kurbnesh, Rubik, Reps, Fushë Arrëz, Kalimash e Gjegjan, ku raportohen përqendrime të larta arseniku dhe metalesh të rënda. Këto ndotje kanë prekur lumenjtë Mat, Fan, Osum dhe Drin, duke rrezikuar tokat bujqësore dhe ujin e pijshëm. Gjegjani cilësohet si një nga zonat më të ndotura në Shqipëri.
Pogradeci dhe minierat e juglindjes
Edhe zona e Pogradecit, pranë liqenit të Ohrit, mbetet e ekspozuar ndaj mbetjeve të ferronikelit nga minierat e Përrenjasit dhe Gurit të Kuq, ndërsa në Rehovë, ndotja e shkaktuar nga miniera e bakrit ka dëmtuar ndjeshëm bimësinë.
Industria e naftës
Në Ballsh, Kuçovë dhe Patos-Marinzë, hidrokarburet dhe gazrat toksikë kanë ndotur ujërat sipërfaqësore e nëntokësore, duke e përhapur ndotjen deri në lumin Gjanica. Përveç dëmit mjedisor, banorët përballen çdo ditë me rrezik për shëndetin.
Fier dhe Porto Romano
Në Fier, ish-Uzina e Azotikut ka lënë pas 850 m³ solucione të ndotura dhe mbi 93 mijë kilogramë kimikate që prekin tokën dhe ujërat nëntokësore. Ndërkohë, Porto Romano në Durrës mbetet një nga zonat më kritike, me prani të hekzaklorociklohekzanit dhe kromit (VI). Edhe pse janë zhvilluar disa fushata pastrimi me ndihmë ndërkombëtare, ndotja vijon të mbetet problem serioz.
Bajza, Laçi dhe qytete të tjera
Në Bajzë të Shkodrës, që prej fillimit të viteve ’90, u depozituan mbi 80 ton mbetje kimike të importuara nga Gjermania, një pjesë e të cilave mbetet ende pa u menaxhuar. Gjurmë ndotjeje raportohen edhe në Laç, Lushnjë dhe Vlorë, kryesisht nga mbetjet e superfosfatit, PVC-së dhe metaleve të rënda.
Rreziku për të ardhmen
Ekspertët e mjedisit paralajmërojnë se këto “bomba ekologjike” përfaqësojnë një rrezik të vazhdueshëm, pasi kimikatet dhe metalet e rënda të grumbulluara nuk janë neutralizuar apo asgjësuar plotësisht. Pastrimi dhe menaxhimi i tyre kërkon fonde të mëdha, investime afatgjata dhe një strategji të qartë shtetërore për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe ekosistemet natyrore. MONITOR