Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” në Elbasan priti finalet e Kampionatit të Hendbollit U13 për vajza dhe djem, një aktivitet që vuri në pah talentin, përkushtimin dhe pasionin e sportistëve të rinj. Në parket u përballën ekipet finaliste të shkollave të qytetit, në një aktivitet të organizuar nga Federata Shqiptare e Hendbollit, në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Elbasan dhe Klubin Shumësportësh Elbasan.

Në konkurrimin për vajza, triumfoi shkolla “Sulë Misiri”, e cila mposhti në finale shkollën “Sulë Harri”. Ndërsa në kategorinë e djemve, fituese u shpall shkolla “Abdyl Paralloi”, pas përballjes me shkollën “Naim Frashëri”. Përtej rezultateve, ky aktivitet synon të nxisë përfshirjen e fëmijëve në sport, të evidentojë talentet e reja dhe të krijojë një bazë të qëndrueshme për zhvillimin e hendbollit në qytetin e Elbasanit.

Nisma të tilla dëshmojnë rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve sportive dhe atyre arsimore, duke e kthyer shkollën në pikënisjen e edukimit sportiv dhe zbulimit të kampionëve të së ardhmes.

