ELBASAN, 6 shtator 2026/Albania Express News/ – Dinamo City dhe AF Elbasani përballen sonte në orën 18:30 në stadiumin “Elbasan Arena”, në një nga sfidat më interesante të javës së tretë të kampionatit “Abissnet Superiore”.
Takimi pritet të zhvillohet me intensitet të lartë, pasi të dyja skuadrat synojnë të marrin një rezultat pozitiv dhe të konsolidojnë pozitat e tyre në këtë fillim kampionati.
Në prag të sfidës ka folur zv.trajneri i Dinamo City, Glen Daja, i cili zëvendëson në stol trajnerin Ilir Daja, të pezulluar. Ai e vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke e cilësuar AF Elbasanin një rival direkt, ndërsa theksoi rëndësinë e atmosferës që mund të krijohet në “Elbasan Arena”.
“Kemi përpara një ndeshje të rëndësishme ndaj një rivali direkt, siç është skuadra e AF Elbasanit. Do të luajmë në ‘Elbasan Arena’, në një terren shumë të mirë të cilin tashmë e njohim mjaft mirë, sepse kemi zhvilluar ndeshjet tona europiane dhe kemi pasur sukses.”
Daja beson se Dinamo mund të zhvillojë një tjetër ndeshje me ritmin dhe intensitetin e përballjeve europiane.
“Besojmë se do të zhvillojmë një ndeshje të bukur, si ato që luajtëm në Europë. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një sfidë e luftuar dhe me rivalitet të madh. Uroj të ketë sa më shumë tifozë, për të krijuar një atmosferë të bukur dhe një ambient të mirë për të luajtur futboll, sepse kjo i ndihmon shumë lojtarët për të dhënë më të mirën e tyre.”
Zv.trajneri dinamovit vlerësoi gjithashtu javën e përgatitjeve, duke theksuar se skuadra ka pasur më shumë kohë në dispozicion për të punuar, pas një periudhe të ngarkuar me ndeshje europiane.
“Si rrallëherë gjatë kësaj periudhe, pasi kemi pasur një kalendar të ngjeshur për shkak të ndeshjeve në Europë, këtë herë kemi pasur në dispozicion pothuajse një javë të plotë për t’u përgatitur për sfidën e radhës. Kemi punuar shumë mirë me skuadrën dhe shpresoj që ekipi të paraqitet ashtu siç duhet, pavarësisht se grupi nuk është ende 100% i plotë. Mund të kemi disa mungesa, por situatën përfundimtare do ta vlerësojmë në prag të ndeshjes”, deklaroi Glen Daja.
Në kampin elbasanas, objektivi është i qartë: fitorja e parë e sezonit. Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka deklaruar se skuadra e tij do të hyjë në fushë me synimin për të marrë maksimumin në këtë përballje të rëndësishme.
Përballja në “Elbasan Arena” pritet të jetë një duel me shumë interes, jo vetëm për rivalitetin mes dy skuadrave, por edhe për objektivat që ato kanë në këtë sezon të “Abissnet Superiore”.
Dinamo City dhe AF Elbasani zbresin në fushë në orën 18:30, me tri pikët si objektiv kryesor.

