Pse janë kaq të shëmtuar filmat e rinj shqiptarë

NGA BEN BLUSHI

TIRANË , 06 shtator 2026/Albania Express News/-Edhe për arsye personale, e kam dashur shumë Kinostudion.Festivalin e parë të filmit shqiptar e fitoi një film që babai im e bëri për mua.

Ndoshta nga kjo dobësi, filmat e Kinostudios më bënin të qeshja edhe kur ishin të dobët.Me gjithë kufizimet ideologjike, Kinostudioja e luajti rolin e vet: na argëtoi për 50 vjet.

Por edhe kur bënin filma të shpifur, regjisorët e asaj kohe kishin një justifikim: komunizmi nuk i linte të krijonin vepra më të guximshme.Të degjeneruarit, spekulantët, tregtarët, të divorcuarit, të pasurit, emigrantët, maniakët, delirantët dhe të sëmurët mendorë nuk mund të ishin personazhe të Kinostudios.

Me shpresën se do të shikoja një kinema të re, shkova këto ditë në Festivalin e bukur të Filmit dhe u habita.

Njëlloj si në kohën e Kinostudios, shumica e filmave të viteve të fundit xhirohen në fshat.Por në atë kohë, në fshat jetonte më shumë se 50 për qind e popullsisë.

Aty prodhohej pothuajse çdo gjë që hanim dhe, me këtë tepricë ushqimore, njeriu i ri punonte nëpër ara dhe fabrika.Natyrisht, kinemaja e asaj kohe peshohej me gramaturë ideologjike: pak fshat, më pak qytet dhe shumë luftë, e cila bëhej po në fshat.

Prandaj shumica e filmave të vjetër nuk janë xhiruar në qytete.Por, ndërsa arsyet e regjisorëve të atyre viteve mund të merren me mend, nuk kuptoj pse regjisorët e sotëm e duan kaq shumë fshatin.

Dekori i filmave të tyre i ngjan një fotografie të varur në muret e një kooperative.Rrugë të shtrembra, furgona të rrjepur, motorë pa marmita, mullinj kashte, një kafene që shërben edhe si stacion autobusi, klasa me nxënës pa dhëmbë, raki, cigare, cironka, turshi, njerëz të shëmtuar, gjuhë vulgare, pata, gjela dhe gomerë të paushqyer që duket sikur mbajnë në kurriz gjithë hallet e kombit tonë tekanjoz.

Filmi është një supermarket i mbushur me produkte fshati.Dhe, meqë në fshat nuk ndodh asgjë gjatë natës, ngjarjet e filmave të rinj zhvillohen vetëm ditën.

Por, derisa të kuptosh çfarë po ndodh, ka kaluar më shumë se gjysma e filmit, e mbushur me dialogë pa kuptim, kanale, puse, vegla bujqësore dhe lopë që shfaqen në ekran atëherë kur nuk e pret.

Dritarja e shtëpisë së fshatarit nuk hapet që ne të shohim gruan e tij të bukur duke tharë flokët, por kokën e një mushke me sklepa.Unë vetë e dua shumë fshatin, por nuk kuptoj pse e duan kaq shumë regjisorët shqiptarë.

Ndoshta mendojnë se shkatërrimi, shëmtia, rakia, duhani, duart me kallo dhe peizazhi zooteknik shesin më shumë në Perëndim.

E kanë gabim.

Filmat më të mëdhenj të botës nuk janë xhiruar në fshat.Marlon Brando dhe Robert De Niro nuk kanë luajtur kurrë rolin e një fshatari dhe, nëse do ta bënin, ndoshta nuk do të ishin ata që janë.

Fshatar ka qenë vetëm Zapata, por edhe ai e bëri revolucionin meksikan që të shkonte në qytet.

Kinemaja është produkt i qytetit.Në kohën kur fshati vendoste për punët e botës, nuk kishte kinema.

Goodfellas nuk ka asnjë fshatar. Taxi Driver i jep taksisë në Nju-Jork. Pulp Fiction i përbuz fshatarët, ndërsa neorealistët italianë ndryshuan kinemanë kur e nxorën kamerën nga fshati dhe filluan të xhironin dramat e qytetit.

Edhe mafiozët e bukur të The Godfather ishin qytetarë amerikanë që i përdornin fshatarët sicilianë për të vrarë njëri-tjetrin në ditëlindjen e mamit.

Netflix sot nuk bën filma për jetën në fshat, me përjashtim të rasteve kur kriminelët fshihen aty për t’i shpëtuar policisë, e cila edhe ajo vjen nga qyteti duke i rënë borive të civilizimit.

Filmat e rinj shqiptarë duket sikur kanë urrejtje për qytetin.

Tirana, ku jetojnë një milion banorë, shfaqet vetëm si karburant furgonash që nisen me një urgjencë të ngadaltë në drejtim të fshatit.

Në kafenetë ku kalojmë kohën çdo ditë nuk hyn asnjë fshatar, që natyrisht nuk shkon as në plazhet ku ka gjallëri, stil, luks, rini dhe zhveshje.

Më shumë femra me rroba banjo ka pasur në filmat e Kinostudios sesa në filmat e sotëm.

Të merr malli të shohësh një trotuar, një hotel modern, xhama, pasqyra, vitrina, monopatina, banka, burra me kostum, gra me taka, kërcim, jetë nate, djem dhe vajza që harbojnë dhe krijojnë aksion, pra që vrapojnë pas jetës së përditshme më shumë se fshatarët tanë të dashur.

Për fat të keq, asnjë film i ri nuk ka as aksion, as shpejtësi dhe as aventurë.Kinemaja plotëson nevojën e njerëzve të zakonshëm për t’u frymëzuar nga njerëz të jashtëzakonshëm.

Sipas kutisë së vet ideologjike, edhe Kinostudioja prodhoi një kategori heronjsh të jashtëzakonshëm.

Ata ishin partizanët.

Ata vrisnin, vidhnin armë, vinin bomba, hidhnin në erë makina, i përdornin uniformat gjermane si kostume dasme dhe nganjëherë bënin edhe dashuri.

Në një kuptim, ata janë kaubojsat e kinemasë sonë.

Në krahasim me fshatarët e filmave të sotëm, partizanët ishin shumë aventurierë dhe, pa diskutim, shumë më të bukur.Kurse në filmat e rinj nuk ka asnjë aventurier që mund ta ndjekësh nga pas për dy orë rresht.

Asnjë skenar nuk është distopik, pra shokues, por kemi një realizëm qaraman që beson se ndryshimi i botës do të vijë nga fshati.

Edhe vetë fshatarët, kremi i kosit të kinemasë sonë, po të kishin mundësi të zgjidhnin, do të thoshin: aman, nuk duam më filma me fshat.

Kjo lloj kinemaje pa aventura luan vetëm një funksion: u kursen fshatarëve të shkretë ilaçet e gjumit.Por, për fat të keq, ajo nuk merr në qafë vetëm fshatarët e shkretë, por në radhë të parë aktorët.

Aktorët janë një histori më vete.

Edhe kur janë të bukur, regjisorët i rrudhin, i plakin, i kërrusin, i veshin keq, i mbulojnë me thinja dhe i bëjnë të hanë domate, të pinë raki dhe të qelben nga cigaret pa filtër.

Kinemaja i përdor shëmtirat më pak se çdo sektor tjetër i shoqërisë.

Ajo është pasarela e njerëzve të këqij që duhet të jenë patjetër të bukur.Nuk njoh ndonjë aktor të madh që të jetë i shëmtuar, por edhe kur qëllon, ai është një talent i madh.

Kurse kinemaja jonë i ka shumë qejf njerëzit e shëmtuar.

I shëmtuari kalon vettingun, i bukuri pret ndryshimin e horoskopit artistik.Megjithatë, aktoret femra janë viktimat më të mëdha të manisë së regjisorëve për të shëmtuar personazhet e tyre.

Regjisorët nuk lejojnë asnjë femër të pispilloset, të lyhet, të veshë një fustan seksi, t’i japë një makine të re, të shkojë në punë dhe të bëjë jetë nate.

Gratë në filmat e rinj kanë vetëm një rol: të duken si burra.

Ato janë të ngrysura, me zë të trashë, mallkojnë pa pushim, qajnë para dreke, pinë raki dhe nuk dinë të puthin.

Edhe kur bëjnë seks, kjo ndodh nëpër stane, në sedilje të grisura ose në furgona të ndyrë.Dashuria e filmave të rinj është një akt fizik i pështirë që nuk ngrihet dot as në nivelin e filmave jugosllavë, të cilët ishin të mbushur me seks të dhunshëm, zakonisht pas drekës.

Nuk e di për çfarë arsyesh, shumica e aktorëve që zhubrosen në shkurret e fshatrave tona janë nga Kosova.

Kosovarët luajnë rolin e fshatarëve nga Librazhdi, nga Miloti apo nga Berati.

Kjo është një mesele më vete që i zbon njerëzit nga kinematë, prandaj filmat e rinj nuk shesin asnjë biletë.

Kush do të rrinte një orë e gjysmë në kinema për të mos kuptuar asnjë fjalë?Unë vetë i kuptoj kosovarët kur flasin, i pëlqej shumë kur këndojnë, por nuk i kuptoj fare në film.

Kinemaja e Kosovës është eklektike dhe duket sikur ka dalë nga librat e Anton Pashkut, një shkrimtari të talentuar që shpjegon në tre faqe si punon galexhanti i banjës.

Kinemaja e Kosovës është një zymtësi pa mbarim.

Njëlloj si vaji dhe kripa, kësaj gjelle i mungojnë dy elementë të domosdoshëm: madhështia dhe humori.Megjithëse e vogël, kinemaja jonë e vjetër ka pasur pak filma madhështorë dhe shumë filma me humor.

Historia i bënte madhështorë, skenarët shpërndanin erëzat e humorit, kurse mjeshtëria e aktorëve u jepte dritë.

Kosovarët nuk kanë bërë dot filma madhështorë, sipas këtij këndvështrimi, sepse kanë jetuar në një shtet represiv që i lejonte të bënin shaka në rrugë, por jo në art.

Kështu është edhe letërsia e tyre: një natë pa mëngjes.

Prandaj aktorët e Kosovës nuk qeshin asnjëherë dhe, kur dashurojnë, duket sikur do të vrasin veten.Filmat e rinj kanë marrë fizionominë e shkollës kosovare: një dëshpërim që kalohet duke pirë, duke sharë dhe duke folur me malin para se të flesh.

Por filmi nuk është si kënga.

Kosovarizimi i këngëve tona ka qenë sukses, kosovarizimi i filmave është dështim.

Për fat të keq, kosovarët po i marrin në qafë regjisorët e rinj.

Regjisorët besojnë se, duke siguruar një buxhet modest, një fshat të rreckosur dhe një aktor kosovar, e kanë mbaruar filmin.Prandaj nuk konkurrojnë për biletat në kinema, por vetëm për fondet publike.

Sukses quhet atëherë kur bind Qendrën e Filmit dhe jo spektatorin.

Regjisorët mendojnë si buxhetistë përpara se të mendojnë si artistë.Meqë shumicën e autorëve të këtyre filmave i kam miq, shpresoj që nuk do të mërziten.

Ata e kanë në dorë të shuajnë dyshimin tim se shqiptarët nuk dinë të bëjnë tri gjëra: futboll, verë dhe kinema.

Unë i kam qejf të trija.

Prandaj do të shkruaj prapë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Ela Tase, “flutura magjike” që e çoi volejbollin shqiptar në majat e Europës

TIRANË , 06 shtator 2026/Albania Express News/-Ela Tase është...

Zjarr në zonën e Syrit të Kaltër, shkrumbohen katër kioska tregtare, dyshimet e para

FINIQ, 06 shtator 2026/Albania Express News/- Një zjarr ka...

Koçiu :Kalaja e Gjirokastrës , magnet për turistët , 200 mijë vizitorë nga janari 2026

TIRANË , 06 shtator  2026/Albania Express News/-Gjirokastra vijon të...

Megaoperacion në Sarandë, arrestohen “kokat” e grupeve që shpërndanin drogë

TIRANË, 6 shtator 2026 /Albania Express News/ – Një...