ELBASAN ,14 gusht 2026/Albania Express News/-Në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Elbasan është zhvilluar një analizë pune me fokus forcimin e masave të sigurisë dhe zbatimin me rigorozitet të procedurave dhe rregullores në fuqi.
Takimi u zhvillua nga drejtori i IEVP Elbasan, Altin Ago, me trupën drejtuese të Policisë së Burgjeve në këtë institucion, në zbatim të detyrave të përcaktuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Adriatik Kupi, si dhe porosive të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Paulin Rajta.
Gjatë analizës u shqyrtuan në mënyrë të detajuar elementët që lidhen me sigurinë e institucionit, problematikat e konstatuara gjatë ushtrimit të detyrës, si dhe mënyrat e ndërhyrjes për garantimin e respektimit të plotë të procedurave.

Në fokus të diskutimeve ishte rritja e përgjegjshmërisë së strukturave përgjegjëse, forcimi i kontrolleve dhe mbikëqyrjes, si dhe monitorimi i vazhdueshëm i mënyrës se si zbatohen detyrat e përcaktuara.
Në përfundim të takimit u përcaktuan detyra konkrete për secilën strukturë përgjegjëse, me synim përmirësimin e mëtejshëm të standardeve të sigurisë dhe garantimin e zbatimit të rregullave në çdo hallkë të veprimtarisë institucionale.
Drejtoria e IEVP Elbasan thekson se masat e sigurisë dhe respektimi i procedurave do të vijojnë të jenë në fokus të punës, përmes kontrolleve të vazhdueshme, përgjegjshmërisë institucionale dhe monitorimit të zbatimit të detyrave nga strukturat përkatëse.


