TIRANË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Shtegu High Scardus po shndërrohet në një destinacion të turizmit malor në Ballkanin Perëndimor, duke lidhur përmes një itinerari ndërkufitar Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ambasada gjermane në Shqipëri thekson se zhvillimi i këtij shtegu shkon përtej promovimit të peizazheve malore, pasi synon të krijojë mundësi ekonomike për komunitetet lokale dhe të mbrojë trashëgiminë natyrore e kulturore të zonave malore.
“Në Shtegun High Scardus, përgjigjja shkon përtej kënaqësisë që ofrojnë panoramat spektakolare malore. Në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, shtigjet e vjetra malore janë shndërruar në një itinerar ndërkufitar për ecje të gjata, duke i sjellë dashamirësit e natyrës dhe entuziastët e aktiviteteve në natyrë më afër disa prej peizazheve më të paprekura të Ballkanit Perëndimor, si dhe me njerëzit që i kanë këto vende shtëpi”, shkruan ambasada gjermane.
Ambasada gjermane thekson se në etapat shqiptare, vizitorët përshkojnë Korabin dhe kullotat e larta të Gramës, takojnë barinj, qëndrojnë në bujtina të menaxhuara nga familje dhe përjetojnë ngrohtësinë dhe mikpritjen e komuniteteve lokale.
Sipas ambasadës, Bashkëpunimi Gjerman për Zhvillim, së bashku me partnerët nga rajoni, ka mbështetur zhvillimin e Shtegut High Scardus me synimin që turizmi i butë dhe i qëndrueshëm të gjenerojë të ardhura dhe të krijojë kushte për banorët që të qëndrojnë në vendlindjet e tyre.
“Turizmi i butë dhe i qëndrueshëm mund të krijojë të ardhura dhe në këtë mënyrë t’i mbajë njerëzit në vendlindjet e tyre, duke mbrojtur njëkohësisht trashëgiminë natyrore dhe kulturore që i bën unike këto zona malore”, thekson ambasada gjermane.
Sot, vijon më tej ambasada gjermane, Shtegu High Scardus është një destinacion turistik i njohur ndërkombëtarisht.
“Suksesi i saj më i madh, megjithatë, zbulohet gjatë vetë udhëtimit: kufijtë shndërrohen në lidhje, vendet e izoluara bëhen destinacione dhe traditat lokale bëhen pjesë e përvojës”, shkruan ambasada gjermane.
Shtegu 362-kilometërsh, i cili lidh malet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, përfshin rreth 45 kilometra në territorin shqiptar, kryesisht përgjatë lartësive lindore të vendit.

