POGRADEC ,09 gusht 2026/Albania Express News/-Edicioni i 7-të i “Mokra N’Fest” është zhvilluar me sukses, duke sjellë në vëmendje vlerat, traditat, kulturën, historinë dhe mikpritjen e trevës së Mokrës.
Festivali mblodhi mijëra banorë dhe vizitorë të ardhur nga zona të ndryshme, të cilët u bënë pjesë e një feste që ndërthuri trashëgiminë kulturore me argëtimin dhe aktivitetet për të gjitha moshat.
Në këtë edicion u prezantuan historia e gurit të Mokrës, peizazhet natyrore të kësaj treve, tradita qindra vjeçare e dollisë, gatimet tradicionale, punimet artizanale, këngët dhe vallet folklorike, si dhe aktivitetet sportive, përfshirë sportet ujore.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua të rinjve, pjesëmarrja masive e të cilëve u konsiderua si një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj feste. Organizatorët e cilësuan praninë e tyre si një dëshmi se traditat e Mokrës jo vetëm ruhen, por po përcillen edhe te brezat e rinj.
“Mokra N’Fest” është kthyer tashmë në një nga aktivitetet më të rëndësishme promovuese të kësaj treve, duke bashkuar banorët, emigrantët dhe vizitorët rreth trashëgimisë, kulturës dhe bukurive natyrore të Mokrës.
Festivali përcolli edhe një mesazh për të ardhmen: Mokra mbetet një trevë ku ka çfarë të zbulosh, çfarë të mësosh dhe mbi të gjitha, çfarë të trashëgosh.
Me përfundimin e edicionit të shtatë, “Mokra N’Fest” konfirmoi edhe një herë potencialin e kësaj zone për të promovuar traditat, turizmin dhe kulturën lokale, duke vijuar një kapitull të ri të zhvillimit të Mokrës drejt së ardhmes.


