“City AM”: Tirana, mes trashëgimisë dhe modernitetit, drejt një epoke të re turistike

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Tirana po shndërrohet me ritme të shpejta në një destinacion të ri urban evropian, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për zhvillimin modern, rritjen e turizmit, vlerat kulturore dhe kombinimin unik mes trashëgimisë historike dhe jetës bashkëkohore urbane, shkruan Chris Dorrell ne median britanike “City AM”.

“Tirana është një ndërthurje mes Mumbait dhe Las Vegasit”, më tha një vizitor rreth një javë përpara mbërritjes sime në kryeqytetin shqiptar.

“Nuk kam qenë kurrë në asnjërin prej këtyre qyteteve, por të paktën kështu i imagjinoj. Nuk jam i sigurt nëse Tirana i ngjan vërtet ndonjërit prej tyre, por e kuptova se çfarë donte të thoshte”.

Qyteti të krijon përshtypjen e një qendre dinamike, ndonëse disi kaotike, në zhvillim të vrullshëm, ku ndryshimet ndodhin me ritme të shpejta.

Qyteti, i cili deri në vitet 1990 renditej ndër kryeqytetet më të varfra të Evropës, po përjeton një bum ndërtimi.

Deri vonë nuk kishte ndërtesa shumëkatëshe, ndërsa tashmë janë planifikuar rreth 30 rrokaqiej, të cilët kanë nisur të ndërtohen ose janë përfunduar.

Pse Tirana po shndërrohet në destinacionin urban turistik të së ardhmes?

Turizmi po rritet me ritme të shpejta.

Në vitin 2025, Shqipëria regjistroi 12,5 milionë vizitorë që kaluan të paktën një natë në vend, më shumë se dyfishi i 6,1 milionë vizitorëve të regjistruar përpara pandemisë.

Dy dekada më parë, ky numër ishte vetëm 3,3 milionë.

Krijohet përshtypja se një vizitë pas pesë vitesh do të zbulonte një qytet krejtësisht të transformuar.

Pavarësisht mënyrës se si mund të evoluojë, Sheshi Skënderbej mbetet zemra e Tiranës.

Ai është një shesh i dedikuar këmbësorëve, aq i madh sa të krijon ndjesinë sikur mund të dallosh lakimin e Tokës (ose ndoshta bëhet fjalë thjesht për një ngritje të lehtë në qendër të tij).

Rreth sheshit ndodhen institucionet kryesore kulturore të qytetit, përfshirë Teatrin e Operës dhe Muzeun Historik Kombëtar, i cili do të qëndrojë i mbyllur deri në vitin 2028.

Nga sheshi mund të shijohet panorama urbane e Tiranës dhe, menjëherë pranë tij, ngrihet kulla 31-katëshe prej xhami “Sytë e Tiranës”, me katet e mbivendosura në mënyrë jo të rregullt, si blloqe të lojës “Tetris” që nuk përshtaten plotësisht.

Pak më tej ndodhet kulla 40-katëshe “Downtown One”, në fasadën e së cilës është vendosur një hartë tridimensionale e Shqipërisë, e cila del jashtë sipërfaqes së godinës.

Historia e Tiranës

Meqenëse qyteti po ndryshon me ritme kaq të shpejta, vendosa ta kaloj fundjavën duke u përpjekur të kuptoj të kaluarën e trazuar të Shqipërisë.

Shumë prej vendeve më interesante të Tiranës lidhen me regjimin komunist të Enver Hoxhës, i cili drejtoi një nga regjimet më represive në Evropë.

Në një tabelë informuese të muzeut vura re se, gjatë regjimit të Hoxhës, Republika Popullore e Shqipërisë ishte e mbyllur për “turistët hipi”, si edhe për armiqtë, spiunët dhe “vagabondët” e tjerë.

Në pikat kufitare kishte edhe berberë, të cilët rruanin mjekrat e turistëve të huaj, që dëshironin të hynin në vend, që për mua do të kishte qenë një lajm aspak i mirë.

Muzeu i Policisë Sekrete, i njohur si “Shtëpia me Gjethe”, është një destinacion që nuk duhet lënë pa vizituar.

Emri “Gjethet” i referohet si bimësisë që mbulonte ndërtesën, duke penguar kalimtarët të shihnin brenda saj, ashtu edhe faqeve të dosjeve që, Sigurimi i Shtetit mbante për personat e konsideruar të dyshimtë.

Muzeu paraqet mjetet dhe mekanizmat që i mundësuan regjimit të Hoxhës, të ushtronte kontroll mbi popullsinë relativisht, me pak rezistencë.

“Kujdes! Të nderuar vizitorë, kjo dhomë është e pajisur me përgjim”, thuhet në një tabelë të vendosur në një nga ambientet.

Një pamje të pasur artistike

Një tjetër dëshmi e qartë e paranojës së regjimit është “Bunk’Art”, një bunker i periudhës komuniste në periferi të qytetit.

Enver Hoxha ndërtoi 173,371 bunkerë në të gjithë Shqipërinë, ose mesatarisht një bunker për çdo 11 banorë.

Vizita nis përmes një tuneli të gjatë dhe të errët, duke lënë pas dritën e diellit për disa orë.

Vetë bunkeri është një kompleks i madh me më shumë se 100 dhoma.

Edhe pse shumica e tyre ngjajnë me njëra-tjetrën, përvoja që ofron është pothuajse hipnotizuese.

Zona kryesore e Tiranës e njohur për kafenetë dhe baret, është Blloku, dikur lagjja ku banonin drejtuesit më të lartë të regjimit komunist, por që u shndërrua me shpejtësi në zonën më të preferuar të elitës së re të qytetit.

Ne ndaluam në “Radio Bar”, një ambient i dekoruar me radio të vjetra dhe postera retro me elemente lëvizëse.

Është një vend elegant për të provuar rakinë, pijen tradicionale kombëtare të Shqipërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Portofino dhe turizmi ynë

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Portofino është një prej...

Volodymyr Zelensky shtrëngon duart me Vuçiçin, e garanton që vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën: Ne nuk ndryshojmë qëndrim!

SERBI ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky...

Kryeministri Rama nxjerr videon: Kamerat e trafikut së shpejti në funksion, 1,100 masa administrative në një javë

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka...

“The Week”: Shqipëria, në krye të listës së destinacioneve të lira turistike

KORÇË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Një ngjarje e rëndë...