Volodymyr Zelensky shtrëngon duart me Vuçiçin, e garanton që vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën: Ne nuk ndryshojmë qëndrim!

SERBI ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zhvilluar vizitën e tij të parë zyrtare në Serbi, ku është pritur nga homologu serb Aleksandar Vuçiç. Në kuadër të vizitës, dy liderët kanë zhvilluar bisedime për marrëdhëniet dypalëshe, luftën në Ukrainë, bashkëpunimin ushtarak dhe perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Në nder të Zelenskyt, presidenti serb ka organizuar një darkë, të cilën e ka cilësuar si një mundësi për të nisur diskutimet mbi çështjet që pritet të jenë në qendër të takimeve zyrtare.

Përmes një postimi në Instagram, Vuçiç u shpreh se e kishte kënaqësi të priste në Beograd presidentin ukrainas, duke nënvizuar rëndësinë e kësaj vizite për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Ukrainës.

Sipas tij, takimi mund të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët. Gjatë darkës është diskutuar gjithashtu edhe për rrugën evropiane të Serbisë dhe Ukrainës.

Vuçiç theksoi se pritja ishte edhe një mundësi për t’i prezantuar delegacionit ukrainas një pjesë të traditave dhe kulturës serbe.

Zelensky: Qëndrimi për Kosovën mbetet i pandryshuar

Një prej çështjeve të diskutuara gjatë vizitës ishte edhe Kosova. Presidenti ukrainas deklaroi se qëndrimi i Kievit për statusin e Kosovës nuk ka ndryshuar.

“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar”, deklaroi Zelensky gjatë konferencës së përbashkët për media me Vuçiçin.

Ai shprehu gjithashtu mirënjohjen ndaj Serbisë për qëndrimin e saj në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë.

Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008. Ndërkohë, Prishtina ka mbështetur Ukrainën pas nisjes së pushtimit rus, duke iu bashkuar sanksioneve të vendosura ndaj Moskës nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Kosova ka strehuar gjithashtu gazetarë ukrainas të larguar nga vendi për shkak të luftës.

Vuçiç flet për bashkëpunimin ushtarak me Ukrainën

Në deklaratat e tij, Vuçiç bëri të ditur se me Zelenskyn ka diskutuar edhe për bashkëpunimin ushtarak mes dy vendeve.

Presidenti serb tha se çështja se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të luftës është një temë tjetër, duke iu referuar perspektivës së marrëdhënieve mes Beogradit dhe Kievit pas përfundimit të konfliktit.

Vizita e Zelenskyt në Beograd zhvillohet në një moment të tensionuar për Ukrainën, ndërsa Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë ndaj objektivave në territorin ukrainas.

Sulme të reja në Ukrainë, viktima mes tyre edhe një fëmijë

Sipas Zelenskyt, një sulm me dron në Pukhivka në rajonin e Kievit shkaktoi vdekjen e tre personave, mes tyre edhe një fëmije trevjeçar.

Viktimat ishin gjyshi, gjyshja dhe nipi i tyre. Katër persona të tjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital. Mes të plagosurve ndodheshin prindërit e fëmijës, vëllai i tij 15-vjeçar dhe një fqinj që kishte shkuar për të ndihmuar familjen.

Një tjetër person humbi jetën në Kiev si pasojë e një sulmi me gjashtë raketa balistike, i cili goditi infrastrukturën civile.

Në reagimin e tij, Zelensky i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të rrisë presionin ndaj Rusisë dhe të vendosë sanksione të reja, me synim kufizimin e kapaciteteve të Moskës për prodhimin e raketave balistike

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kryeministri Rama nxjerr videon: Kamerat e trafikut së shpejti në funksion, 1,100 masa administrative në një javë

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka...

“The Week”: Shqipëria, në krye të listës së destinacioneve të lira turistike

KORÇË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Një ngjarje e rëndë...

“The Week”: Shqipëria, në krye të listës së destinacioneve të lira turistike

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Shqipëria renditet në krye...

Përshkallëzohet përplasja Spanjë-Itali për emigrantët, Madridi vendos kontrolle kufitare

SPANJË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Përplasja mes Spanjës dhe...