ELBASAN ,05 gusht 2026/Albania Express News/-AF Elbasani ka realizuar një nga goditjet më të rëndësishme të merkatos verore, duke siguruar shërbimet e Elmando Gjinit. Burime jozyrtare bëjnë me dije se marrëveshja është mbyllur dhe prezantimi zyrtar i futbollistit pritet të bëhet në orët në vijim.
Mësohet se Gjini ka kryer me sukses vizitat mjekësore dhe më pas ka hedhur firmën në kontratë me klubin verdheblu, duke u bërë zyrtarisht pjesë e skuadrës për sezonin e ri.
Sipas të njëjtave burime, mesfushori pritet të jetë menjëherë në dispozicion të trajnerit dhe mund të zbresë në fushë që në ndeshjen miqësore ndaj Partizanit, duke u dhënë tifozëve mundësinë ta shohin për herë të parë me fanellën e Elbasanit.
Elmando Gjini ishte një nga lojtarët që spikati me paraqitjet e tij te Vllaznia gjatë sezonit të kaluar, duke tërhequr vëmendjen me cilësitë dhe kontributin e tij në mesfushë. Afrimi i tij konsiderohet një përforcim me peshë për ambiciet e Elbasanit në sezonin e ri të Abissnet Superiore.
Tashmë mbetet të pritet vetëm zyrtarizimi nga klubi, ndërsa tifozët verdheblu kanë një tjetër arsye për të besuar se skuadra po ndërtohet për objektiva të mëdha.

