TIRANË ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja deklaroi sot se Shqipëria po orienton politikat turistike drejt rritjes së cilësisë së turizmit dhe zgjatjes së sezonit turistik gjatë gjithë vitit.
Gonxhja tha se politikat aktuale mbështeten në Strategjinë Kombëtare të Turizmit, e cila vijon të përditësohet edhe përmes ndryshimeve ligjore dhe masave të reja të parashikuara në planin e veprimit.
Sipas tij, një nga drejtimet kryesore është forcimi i turizmit kulturor, i cili po fiton gjithnjë e më shumë peshë krahas turizmit detar dhe atraksioneve natyrore.
“Turizmi kulturor është shumë i rëndësishëm, pra ai që është i lidhur me eksperiencën në site dhe në përgjithësi në evente. Dhe eventet nuk janë vetëm argëtim, por të gjitha llojet që lidhen me artin dhe kulturën, si edhe me aktivitetet që lidhen me ekonominë kreative”, u shpreh Gonxhja.
Gonxhja theksoi se turizmi nuk mund të trajtohet më si një sektor i veçuar, pasi shtrihet në shumë fusha të ekonomisë dhe lidhet ngushtë me zhvillimin e qyteteve, artizanatit, trashëgimisë kulturore, gastronomisë dhe industrive kreative.
Në këtë kuadër, Gonxhja nënvizoi rëndësinë e Tiranës si destinacioni kryesor turistik i vendit, duke theksuar se ndryshimi i mënyrës se si turistët duan ta përjetojnë Shqipërinë duhet të reflektohet edhe në politikat publike.
“Turizmi tashmë është kudo. Destinacioni numër një i vendit tonë është kryeqyteti. Tirana është shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi shumë të zgjuar për të kuptuar ndryshimin e mënyrës së përvojës së turistëve dhe mënyrës se si ata duan ta jetojnë Shqipërinë”, deklaroi ai.
Ministri u ndal edhe te investimet cilësore, duke përmendur projektet në zona me potencial të lartë turistik dhe mundësinë e zhvillimit të partneriteteve publike-private.
Sipas tij, investimet cilësore në struktura dhe resorte mund të krijojnë një efekt zinxhir pozitiv në ekonomi, duke ndikuar në një numër të madh sektorësh.
Gonxhja nënvizoi se zhvillimi turistik duhet të shoqërohet me forcimin e standardeve, zbatimin e ligjshmërisë dhe respektimin e kërkesave mjedisore e të trashëgimisë kulturore.
Në këtë drejtim, Gonxhja përmendi punën me UNESCO-n dhe investimet në zona me rëndësi të veçantë, si Butrinti, Berati, Gjirokastra, zona e liqenit të Ohrit dhe Durrësi.
“Garancia jonë është që institucionet të jenë aty për të monitoruar, për të zbatuar të gjithë ligjshmërinë dhe për të garantuar që ligji zbatohet nga të gjithë njësoj. Këtu pastaj kemi standardet e Bashkimit Evropian, ligjet tona që po konvergjojnë për t’u bërë anëtarë të Bashkimit Evropian”, tha Gonxhja.
Ai vuri në dukje nevojën për zhvillimin e ekonomisë blu, duke theksuar se Shqipëria ka ende mungesa në fushën e marinave, lundrimit privat dhe edukimit mbi rregullat e trafikut detar.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm, sipas ministrit, është ekonomia e pyjeve dhe menaxhimi i tyre, si edhe zhvillimi i qëndrueshëm i zonave të mbrojtura.
Gonxhja tha se vëmendje po i kushtohet edhe turizmit malor, përmes paketës së maleve, Portave të Alpeve dhe lehtësimit të procedurave për licencimet, certifikimet dhe zhvillimin e agroturizmeve.
Një objektiv tjetër është shtrirja e sezonit turistik nga muajt e verës në një sezon sa më pranë 12 muajve, përmes turizmit të konferencave, resorteve, aktiviteteve dhe eksperiencave në zonat e thella.
Ministri Gonxhja tha se turizmi i organizuar aktualisht zë rreth 10% të totalit dhe se synimi është rritja e kësaj përqindjeje, pasi ky lloj turizmi ofron më shumë stabilitet dhe mundëson menaxhimin e flukseve turistike përgjatë gjithë vitit.
“Ne duhet të bëjmë çmos që kjo përqindje të rritet, sepse turizmi i organizuar është shumë solid, është i siguruar dhe i kontraktuar dhe mund ta menaxhosh dhe ta shtrish në ato zona, struktura, hotele, muaj, të cilat i japin më shumë dorë”, deklaroi Gonxhja.
Duke folur për politikat e turizmit, ministri theksoi nevojën për bashkëpunim mes operatorëve lokalë dhe për një qasje që e sheh destinacionin turistik si një tërësi.
Sipas tij, turistët duhet të kenë informacion, transport dhe shërbime të aksesueshme për të gjitha pikat me interes, duke shmangur praktikat që mund të dëmtojnë eksperiencën e vizitorëve.
“Duhet të thyejmë mentalitetin lokalist, që turisti është i imi, e kam në hotel dhe nuk duhet të ikë. Ne duhet të hapim mendësinë tonë në këtë aspekt”, tha Gonxhja.
Ai vuri në dukje edhe rëndësinë e turizmit ndërkufitar, me synimin që Shqipëria të jetë pjesë e itinerareve turistike rajonale dhe që vizitorët që vijnë në Ballkan të qëndrojnë më gjatë dhe të vizitojnë disa vende të rajonit.
“Turistët që vijnë dhe rrinë për shumë ditë janë ata më të rëndësishmit, por ata duan arsye të rrinë shumë ditë. Nuk mund të rrinë shumë ditë për të parë një vend që nuk i intereson më pas ditës së tretë”, u shpreh ai.
Në këtë kuadër, Gonxhja theksoi nevojën për investime të mëtejshme në qytetet historike dhe qendrat urbane me potencial turistik, me synim krijimin e më shumë arsyeve për vizitorët që të zgjasin qëndrimin dhe të rrisin shpenzimet e tyre në ekonominë shqiptare.

