PRRENJAS ,21 korrik 2026/Albania Express News/-Ish -deputeti i Prrenjasit dhe ish-ministri socialist Ilir Zela ka reaguar publikisht ndaj diskutimeve për reformën e re territoriale, duke shprehur kundërshtimin e tij për çdo nismë që parashikon shkrirjen e Bashkisë së Prrenjasit.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zela shprehet se po e ndjek me shqetësim situatën, duke akuzuar mazhorancën dhe atë që e cilëson si “bedel-opozitë” se synojnë të heqin nga harta administrative Bashkinë e Prrenjasit. Sipas tij, një vendim i tillë nuk mbështetet në parime administrative dhe nuk është paraprirë nga konsultime me banorët e Prrenjasit, Rrajcës, Qukësit dhe Stravajt.
Si ish-deputet i zgjedhur për dy mandate në sistemin mazhoritar, Ilir Zela u bën thirrje banorëve të zonës, si brenda vendit ashtu edhe në diasporë, që zëri i tyre të dëgjohet në procesin e diskutimit për reformën territoriale.
Në reagimin e tij, Zela rendit disa argumente pse, sipas tij, Prrenjasi duhet të vazhdojë të mbetet bashki.
Ai thekson se Bashkia e Prrenjasit ka rreth 19 mijë banorë dhe renditet e 32-ta në shkallë vendi për nga popullsia, duke përfshirë qytetin dhe katër njësi administrative me gjithsej 25 fshatra. Sipas tij, kjo nuk e bën një bashki të vogël apo pa perspektivë.
Një tjetër argument i ngritur prej tij lidhet me performancën financiare të bashkisë. Zela kujton se vetë qeveria e ka vlerësuar Prrenjasin si një nga dhjetë bashkitë me performancën më të mirë financiare në vend, duke e shpërblyer edhe me grant, ndërsa shtron pyetjen se si mund të konsiderohet tani e paaftë për të ekzistuar si njësi vendore.
Ish-ministri ndalet edhe te potenciali ekonomik i zonës, duke përmendur pasuritë minerare, burimet ujore, pyjet dhe tokat bujqësore, si edhe pozicionin strategjik të Prrenjasit përgjatë Korridorit VIII dhe gjurmës së rrugës historike Egnatia.
Sipas Zelës, edhe turizmi përbën një nga asetet kryesore të bashkisë, falë Pyjeve të Ahut të Rrajcës, të mbrojtura nga UNESCO, Parkut Kombëtar Shebenik, si dhe pyjeve të Stravajt dhe Sopotit.
Në postimin e tij, ai vlerëson gjithashtu historinë dhe identitetin e qytetit, duke kujtuar se Prrenjasi është ndërtuar mbi mundin dhe sakrificat e minatorëve, ndërsa veçon edhe trashëgiminë kulturore e historike të zonës, si vallen dhe kostumin e Rrajcës, poetët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, si dhe figurat e Rilindjes dhe të shtetformimit shqiptar, Halit Bërzeshta dhe Shaban Blloshmi.
Në përfundim, Ilir Zela thekson se reforma territoriale duhet të mbështetet mbi kritere objektive dhe analiza konkrete, duke argumentuar se vendimet nuk duhet të bien në kundërshtim me performancën financiare, potencialin ekonomik dhe identitetin historik të një bashkie si Prrenjasi.

