Turistë nga Europa, Amerika dhe Azia eksplorojnë kryeqytetin: Tirana, një surprizë mes historisë dhe zhvillimit

TIRANË, 24 qershor 2026 /Albania Express News/ -Tirana “zgjohet” çdo ditë me zërat e turistëve nga e gjithë bota që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e pushimeve të tyre.

Në sheshin “Skënderbej” dëgjohen gjuhë të ndryshme, ndërsa turistë nga Evropa, Amerika dhe Azia shëtisin të buzëqeshur, duke fotografuar monumentet, ndërtesat historike dhe jetën e përditshme të kryeqytetit shqiptar.

Disa fotografojnë monumentin e heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, të tjerë admirojnë ndërtesat përreth, ndërsa tur operatorët u tregojnë historinë e Tiranës, sot, një metropol modern dhe dinamik.

Në mesin e tyre është një turiste nga Siçilia, e cila po viziton Shqipërinë për herë të parë.

“Është dita ime e dytë në Tiranë. Kam vizituar sheshin “Skënderbej”, kullën e Sahatit, BunkArt. Do vizitojmë vetëm Tiranën dhe sot në mbrëmje do të darkojmë në një restorant me ushqime tradicionale”, thotë ajo.

Ndërkohë, turistët vazhdojnë itinerarin e tyre drejt atraksioneve kryesore të kryeqytetit. Ata vizitojnë muze, galeri arti dhe objekte kulti që tregojnë historinë dhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri.

Një çift turistësh amerikanë, sapo dalin nga xhamia e Et’hem Beut në kryeqytet, thonë se eksperienca e tyre në Tiranë është fantastike.

“Kjo është hera jonë e parë në Shqipëri. Është një vend interesant. Ne vizituam xhaminë e Et’jem Beut. Sot do e kalojmë nëpër Tiranë. Ne do të rrimë 6-7 ditë këtu, më pas do lëvizim për në jug në disa plazhe. Do vizitojmë BunkArtin, do bëjmë hiking, do shkojmë në plazhe. Mendoj që do e shijojmë këtë eksperiencë”, u shprehën ata.

Një tjetër turist nga Bullgaria, thotë që do të qëndrojë deri të shtunën në Shqipëri. Ai shprehet se do të vizitojë qytete si Durrës, Shkodër dhe Berat.

“Shqipëria është një vend shumë i bukur, turizmi po lulëzon dhe gjithçka duket kaq mirë”, tha ai.

Një i ri nga Ukraina, bashkë me të ëmën tha se është hera e parë që viziton Tiranën.

“Kemi qëndruar në Tiranë vetëm një natë dhe sot do të shkojmë në plazh në Durrës. Për mua Tirana është një qytet i bukur, shumë i madh dhe me kulturë të mirë. Kemi vizituar vetëm pak gjëra, por sot do të vizitoj muzeun e “Shtëpisë me Gjethe””, tha ai, ndërsa shtoi se do të qëndrojnë pesë ditë në Shqipëri.

Në rrugët e qytetit vihet re edhe numri i madh i turistëve që lëvizin me biçikleta ose në këmbë. Shumë prej tyre ndalen për të biseduar me banorët vendas, të cilët nuk kursejnë këshillat për vendet që duhen vizituar dhe ushqimet që duhen provuar.

Për shumë prej tyre, Tirana është një surprizë pozitive. Ata e përshkruajnë qytetin si një kombinim mes historisë dhe modernitetit, ku tradita bashkëjeton me zhvillimin urban. Mikpritja shqiptare mbetet një nga elementët që përmendet më shpesh nga vizitorët.

Tirana po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një qendër turistike e rëndësishme, ku vizitorët mund të gjejnë një ndërthurje të historisë, kulturës, natyrës dhe jetës moderne. Rritja e numrit të turistëve të huaj është një tregues i interesit në rritje për Shqipërinë, e cila po fiton çdo vit e më shumë vëmendje në hartën ndërkombëtare të turizmit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Universiteti i Shkodrës në qendër të debatit shkencor ndërkombëtar për vlerësimin psikologjik, zhvillohet me sukses konferenca ASPA-26

SHKODËR ,24 qershor 2026/Albania Express News/-Universiteti i Shkodrës “Luigj...

Rama për “France24’’: Ka shumë ndërhyrje nga jashtë kundër projektit në Zvërnec

TIRANË, 24 qershor 2026/Albania Express News/ – Kryeministri Edi...