Berisha për thirrjet e protestuesve: Janë opozitë e opozitës

TIRANË, 20 qershor 2026 /Albania Express News/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me qytetarët, ku komentoi zhvillimet politike dhe protestat e fundit në vend.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi thirrjet e dëgjuara gjatë protestave kundër tij dhe Partisë Demokratike, Berisha i cilësoi autorët e tyre si opozitë e opozitës, që sipas tij synojnë të sulmojnë forcën kryesore opozitare.

“Këta janë opozita e opozitës, e cila përzgjedh si mënyrë të bërjes forcë opozitare sulmin ndaj opozitës së vërtetë. Në këtë mënyrë ndihmojnë Edi Ramën, duke bërë krahasime të pakrahasueshme”, tha Berisha.

Ai i konsideroi akuzat ndaj tij si shpifje dhe deklaroi se individë të tillë përpiqen të zbehin, sipas tij, kauzën e protestës qytetare.

“Këta janë njerëz të damkosur, të gatshëm për çdo shpifje ndaj Sali Berishës. Përpiqen të ngjyrosin me gojët e tyre të pista kauzën madhështore të protestës qytetare”, u shpreh ai.

Lidhur me përgatitjet për zgjedhjet vendore, Berisha bëri të ditur se procesi për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkish do të nisë së shpejti.

“Përgatitjet do të fillojnë menjëherë”, tha kreu i PD-së.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama se protesta kishte karakter anti-amerikan dhe anti-Trump, Berisha hodhi poshtë këtë pretendim.

“Në vlerësimin tim, protestuesit absolutisht nuk janë anti-amerikanë. Ata protestojnë kundër mungesës së transparencës së qeverisë, kundër korrupsionit, shkeljes së të drejtave qytetare dhe keqqeverisjes”, deklaroi ai.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për propagandë që synon, sipas tij, të relativizojë aferat korruptive dhe të krijojë perceptimin se Partia Socialiste dhe Partia Demokratike janë të njëjta.

“Kjo propagandë synon të relativizojë krimet e mëdha të Edi Ramës dhe të barazojë të pabarabartën me qeverisjen e Partisë Demokratike”, tha ai.

Në lidhje me mundësinë e krijimit të një qeverie teknike, Berisha u shpreh se ajo duhet të përbëhet nga specialistë, ekspertë dhe qytetarë jashtë partive politike, duke marrë votëbesimin në Parlament mbi bazën e një marrëveshjeje paraprake.

Kryetari i PD-së u bëri thirrje qytetarëve dhe mbështetësve të opozitës të marrin pjesë në protestë.

“Ftoj çdo demokrat dhe qytetar të vërshojë në bulevardet dhe rrugët e Tiranës për të mbështetur këtë protestë, e cila ka në themel mbrojtjen e votës së lirë dhe të demokracisë”, përfundoi Berisha.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Spektakël me “manita” i Holandës, Suedia dorëzohet pa kushte në Houston

BOTËRORI 2026 ,20 qershor 2026/Albania Express News /Holanda mposht...

“Telefoni që nuk hesht kurrë”, libri që rrëfen misionin njerëzor dhe profesional të Dr. Arjan Hamitit

TIRANË ,20 qershor 2026/Albania Express News / Një vlerësim...