Elbasani , kryeqyteti i pingpongut ballkanik nga 24-28 qershor 2026

NGA FATMIR POPJA

ELBASAN ,19 qershor 2026/Albania Express News/Nga data 24 deri më 28 qershor 2026, qyteti i Elbasanit do të shndërrohet në qendrën e pingpongut ballkanik, duke mirëpritur Kampionatin e 33-të Ballkanik për të Rinjtë U15 dhe U19. Me pjesëmarrjen e 13 shteteve dhe rreth 240 sportistëve, trajnerëve, arbitrave dhe zyrtarëve sportivë, ky event konsiderohet një nga ngjarjet më të rëndësishme sportive që zhvillohet në Shqipëri këtë vit. Në prag të këtij kampionati prestigjioz, biseduam me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Pingpongut, z. Tonin Binoshaj, i cili flet për rëndësinë e organizimit, pritshmëritë e ekipit kombëtar dhe ndikimin që ky aktivitet do të ketë për sportin shqiptar dhe qytetin e Elbasanit.

Intervistë Eksluzive me z.Tonin Binoshaj ,Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut

Z. Binoshaj, Shqipëria do të organizojë pas disa ditësh Kampionatin e 33-të Ballkanik të Pingpongut për të Rinjtë U15 dhe U19. Sa e rëndësishme është kjo ngjarje për sportin shqiptar?

Ky është padyshim një nga aktivitetet më të mëdha sportive ndërkombëtare që zhvillohet në Shqipëri gjatë vitit 2026. Kampionati Ballkanik i Pingpongut për të Rinjtë është kompeticioni më prestigjioz i Unionit Ballkanik të Pingpongut për grupmoshat e reja dhe fakti që Shqipërisë iu besua organizimi i këtij eventi është një vlerësim i jashtëzakonshëm për punën që është bërë ndër vite nga Federata Shqiptare e Pingpongut.

Për ne është një nder, por edhe një përgjegjësi e madhe. Do të mirëpresim në Elbasan rreth 240 sportistë, trajnerë, arbitra dhe zyrtarë sportivë nga 13 vende të Ballkanit. Kjo tregon besimin që komuniteti ndërkombëtar i pingpongut ka tek Shqipëria dhe tek kapacitetet tona organizative.

 

Pse u zgjodh Elbasani si qyteti mikpritës i këtij kampionati?

Elbasani ka një traditë të spikatur sportive dhe disponon infrastrukturën e nevojshme për organizimin e aktiviteteve të niveleve të larta ndërkombëtare. Pallati i Sportit “Tomorr Sinani” ofron kushte shumë të mira për zhvillimin e garave dhe ka një pozicion strategjik që lehtëson akomodimin dhe lëvizjen e delegacioneve.

Një rol shumë të rëndësishëm ka luajtur Bashkia e Elbasanit, e cila ka mbështetur projektin që në fazat e para. Gjithashtu, një kontribut të çmuar ka dhënë Klubi Shumësportësh Elbasani dhe drejtori i tij Artin Kovaçi dhe i stafi i tij , të cilët kanë qenë vazhdimisht pranë nesh në përgatitjen e këtij eventi.

Cilat vende do të marrin pjesë në këtë kampionat?

Do të kemi pjesëmarrjen e 13 shteteve të rajonit dhe Ballkanit ,Shqipëria, Kosova, Serbia, Greqia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Qipro, Moldavia, Bullgaria, Rumania, Sllovenia dhe Maqedonia e Veriut.

Kjo e bën kampionatin një arenë të vërtetë ballkanike ku do të përballen talentet më të mira të rajonit. Niveli pritet të jetë shumë i lartë, pasi shumë nga këta sportistë janë pjesë e renditjeve botërore dhe konsiderohen e ardhmja e pingpongut europian.

Shqipëria do të përfaqësohet me 20 sportistë. Sa të kënaqur jeni me ekipin kombëtar?

Jemi shumë optimistë. Kemi një grup të talentuar sportistësh që kanë treguar progres të dukshëm vitet e fundit. Në kategorinë U19 spikat Aron Koni, sportisti më i renditur shqiptar në klasifikimin botëror, tre herë kampion kombëtar për të rritur dhe një nga emrat më premtues të sportit tonë.

Po ashtu kemi Ana Kokoneshin, sportisten më të renditur shqiptare në kategorinë U19 për vajza, si dhe talente të tjera si Etien Qoshja, Marvi Gjata dhe Anabel Çoba, të cilët kanë dëshmuar potencial të madh në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ne nuk i shohim këta të rinj vetëm si pjesëmarrës në kampionat, por si investimin më të rëndësishëm për të ardhmen e pingpongut shqiptar.

Cilat janë objektivat e Shqipërisë në këtë kampionat?

Objektivi ynë kryesor është paraqitja dinjitoze dhe fitimi i eksperiencës ndërkombëtare. Natyrisht, do të dëshironim rezultate sa më të mira dhe pse jo të luftojmë për medalje në disa disiplina.

Duhet të kemi parasysh se do të përballemi me vende me traditë shumë të fortë në pingpong si Turqia, Serbia, Rumania, Bullgaria apo Greqia. Megjithatë, sportistët tanë janë përgatitur seriozisht dhe besoj se do të japin maksimumin në tavolinë.

Si do të zhvillohet programi i kampionatit?

Dy ditët e para, 24 dhe 25 qershor, do t’u kushtohen garave ekipore për kategoritë U15 dhe U19, si për djem ashtu edhe për vajza. Më pas, nga 26 deri më 28 qershor, do të zhvillohen garat individuale, dyshet dhe dyshet mikse.

Finalet e mëdha dhe ceremonia e ndarjes së medaljeve do të zhvillohen më 28 qershor. Presim që ato të jenë kulmi i spektaklit sportiv dhe të sjellin emocione të mëdha për publikun.

Çfarë mund të na thoni për nivelin organizativ dhe arbitrazhin?

Kemi punuar prej muajsh për të garantuar standardet më të larta organizative. Kampionati do të drejtohet nga arbitra ndërkombëtarë me eksperiencë të konsiderueshme. Kryegjyqtari i aktivitetit do të jetë Klodian Gjata, arbitër ndërkombëtar shqiptar.

Në total do të kemi 16 arbitra, prej të cilëve 11 ndërkombëtarë dhe 5 vendas. Gjithçka është planifikuar në detaje për të siguruar zhvillimin korrekt dhe profesional të çdo gare.

Ceremonia e hapjes pritet të jetë madhështore. Kush do të jetë i pranishëm?

Po, ceremonia e hapjes më 24 qershor në orën 11:00 do të mbledhë figurat më të rëndësishme të sportit shqiptar dhe ballkanik. Do të kemi praninë e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Fidel Ylli, Ministrit përgjegjës për Sportin, Blendi Gonxhja, Kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, si dhe drejtuesve më të lartë të Unionit Ballkanik të Pingpongut.

Kjo pjesëmarrje tregon rëndësinë që ka marrë ky kampionat jo vetëm për pingpongun, por për sportin shqiptar në tërësi.

Çfarë ndikimi pritet të ketë ky aktivitet për Elbasanin dhe Shqipërinë?

Përfitimet janë të shumëfishta. Përveç aspektit sportiv, ky kampionat promovon Shqipërinë dhe Elbasanin si destinacione të rëndësishme për organizimin e eventeve ndërkombëtare. Delegacionet do të kenë mundësi të njohin kulturën, historinë dhe mikpritjen shqiptare.

Nga ana tjetër, ky është një stimul i madh për fëmijët dhe të rinjtë që merren me sport. Kur sheh sportistë nga 13 vende të ndryshme që garojnë në qytetin tënd, motivimi për t’u përfshirë në sport rritet ndjeshëm.

Një mesazh për tifozët dhe qytetarët e Elbasanit?

Ftoj të gjithë qytetarët e Elbasanit dhe sportdashësit nga mbarë Shqipëria të jenë pjesë e këtij eventi historik. Hyrja do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të parë nga afër talentet më të mira të Ballkanit dhe për të mbështetur ekipin kombëtar shqiptar.

Jam i bindur se Elbasani do të tregojë edhe një herë traditën e tij të mikpritjes dhe do të jetë një ambasador i denjë i sportit shqiptar. Le t’u japim sportistëve tanë mbështetjen që meritojnë dhe ta kthejmë këtë kampionat në një festë të vërtetë të pingpongut ballkanik.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Protesta si pasqyrë e demokracisë shqiptare

TIRANË ,19 qershor 2026/Albania Express News/Protesta që është duke...

U gjet i dekompozuar në Ibë, identifikohet trupi i Eglant Koçit. Dyshohet se u vra me plumb pas koke nga shoku i tij

TIRANË ,19 qershor 2026/Albania Express News/Zbardhen detaje të reja...

Banorët e Kryezjarrit protestojnë pranë nënstacionit të ri elektrik , “OST na shkatërroi rrugët dhe nuk mbajti premtimin”

ELBASAN ,19 qershor 2026/Albania Express News/Një grup banorësh të...