SHKODËR ,18 qershor 2026/ Shkodra u kthye në një qendër të rëndësishme të dialogut dhe angazhimit qytetar të të rinjve, teksa Universiteti “Luigj Gurakuqi” mirëpriti “Ditën e Dytë të Youth Democracy Forum”, një aktivitet i organizuar në kuadër të projektit ENGAGEUROPE, i financuar nga Programi CERV i Bashkimit Evropian. Forumi mblodhi studentë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues të institucioneve vendore për të diskutuar mbi sfidat dhe perspektivat e demokracisë evropiane, duke vendosur të rinjtë në qendër të procesit vendimmarrës.
Aktiviteti nisi me panelin e diskutimit me temë “Akademia, hapësira qytetare dhe e ardhmja e Evropës”, ku u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me rolin e universiteteve në edukimin qytetar, përfshirjen e të rinjve në jetën publike dhe procesin e integrimit evropian.
Në panel morën pjesë personalitete të njohura nga fusha akademike dhe institucionale, mes tyre Prof. As. Dr. Eljana Laçej, Zv/Rektore e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Dr. Zemaida Kastrati Mozali, eksperte e Integrimit Evropian, Loreta Çermeli, përfaqësuese e Bashkisë Shkodër, Martin Shyti, përfaqësues i Këshillit Studentor të universitetit, si dhe Orkidea Xhaferaj, eksperte e politikave digjitale nga SCiDEV.
Diskutimet u moderuan nga pedagogia e Fakultetit të Ekonomisë, Albana Boriçi, e cila drejtoi me profesionalizëm debatin dhe ndërveprimin mes panelistëve dhe të rinjve pjesëmarrës. Gjatë forumit u theksua rëndësia e universiteteve si hapësira ku formohen qytetarët aktivë të së ardhmes dhe ku ndërtohet kultura demokratike që i shërben zhvillimit të shoqërisë.
Pjesa më dinamike e aktivitetit vijoi me sesionet e punës në grupe, ku të rinjtë patën mundësinë të diskutojnë, analizojnë dhe të hartojnë rekomandime konkrete për tri tema kyçe që lidhen drejtpërdrejt me të ardhmen e Evropës dhe të shoqërive demokratike: pjesëmarrjen qytetare, zgjerimin e Bashkimit Evropian dhe qeverisjen digjitale.
Përmes debateve të hapura dhe bashkëpunimit në grup, pjesëmarrësit identifikuan prioritetet që ata i konsiderojnë më të rëndësishme për brezin e tyre. Idetë dhe sugjerimet e paraqitura u përkthyen në propozime konkrete, të cilat do të kontribuojnë në objektivat e projektit ENGAGEUROPE dhe në nxitjen e politikave që favorizojnë përfshirjen e të rinjve në proceset demokratike.
Organizatorët vlerësuan nivelin e lartë të angazhimit të studentëve dhe cilësinë e diskutimeve, duke theksuar se iniciativa të tilla krijojnë ura komunikimi mes institucioneve, akademisë dhe të rinjve, ndërsa forcojnë ndjenjën e përkatësisë ndaj vlerave evropiane.
Në përmbyllje të aktivitetit, secili grup prezantoi përfundimet dhe rekomandimet e tij përpara pjesëmarrësve, duke sjellë ide inovative dhe propozime të zbatueshme për përmirësimin e pjesëmarrjes demokratike dhe qeverisjes. Gjithashtu, të rinjtë plotësuan Anketën e Bashkimit Evropian mbi Drejtësinë, të Drejtat dhe Vlerat, duke dhënë kontributin e tyre në vlerësimin e perceptimeve dhe pritshmërive të brezit të ri ndaj institucioneve dhe politikave evropiane.
Përfaqësuesit e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës falënderuan të gjithë studentët, panelistët, moderatoren dhe partnerët e projektit për kontributin e dhënë në realizimin e kësaj dite të rëndësishme. Sipas organizatorëve, Youth Democracy Forum dëshmoi edhe një herë se të rinjtë shqiptarë janë të gatshëm të marrin rol aktiv në jetën demokratike dhe të kontribuojnë me ide konkrete për ndërtimin e një Evrope më gjithëpërfshirëse, më demokratike dhe më pranë qytetarëve të saj.


