TIRANË, 17 qershor 2026/Albania Express News/ Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik projektligjin e ri “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme”, një nismë reformuese që synon ndryshimin rrënjësor të sistemit të taksimit të pronave në Shqipëri, duke kaluar drejt një modeli të bazuar në vlerën e tregut të pasurive dhe rritjen e të ardhurave të pushtetit vendor.
Sipas projektligjit të publikuar për konsultim, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme do të vazhdojnë të jenë taksë vendore, por baza e llogaritjes ndryshon duke u lidhur me vlerën reale të tregut të pronës, në vend të metodës aktuale të bazuar kryesisht në sipërfaqe dhe çmime reference.
Reforma synon gjithashtu rritjen e drejtësisë fiskale, pasi barra tatimore do të reflektojë më saktë vlerën e pronës dhe aftësinë paguese të qytetarëve.
Në dokument parashikohet një sistem me norma tatimore të kufizuara me ligj, ku për ndërtesat e banimit shkalla e taksës lëviz në intervalin rreth 0,1% deri në 0,2% të vlerës së pronës, ndërsa për tokën dhe kategoritë e tjera normat variojnë sipas përdorimit deri në rreth 0,25%.
Për të zbutur efektin e reformës, projektligji parashikon edhe lehtësime për banesën e parë dhe për kategori sociale të caktuara, si dhe një zbatim gradual të sistemit të ri.
Sipas projektit, zbatimi i reformës do të kryhet me faza, duke filluar fillimisht për ndërtesat në vitin 2029 dhe për tokën në vitin 2031, ndërsa deri atëherë do të vijojë sistemi aktual i taksimit.
Gjithashtu parashikohet krijimi i një Kadaste Fiskale dhe një strukturë qendrore që do të mbështesë bashkitë në administrimin dhe mbledhjen e taksës.
Ministria e Financave vlerëson se pas implementimit të plotë, të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme mund të arrijnë rreth 0,7% deri në 1% të PBB-së, nga niveli aktual prej rreth 0,28%, duke e kthyer këtë taksë në një nga burimet kryesore të financimit të pushtetit vendor dhe investimeve publike në nivel bashkish.

