TIRANË, 17 qershor 2026/Albania Express News/- Me ardhjen e sezonit veror, shumë turistë kërkojnë destinacione që ofrojnë qetësi, dhe vende të paprekura nga turizmi masiv, sipas medias franceze “Ouest France”.
Fatmirësisht, në Evropë ekzistojnë ende vende të mrekullueshme, ku mund të shijohet vera pa zhurmën dhe mbipopullimin e zakonshëm të destinacioneve të njohura.
Ndër to, Shqipëria spikat si një nga alternativat më tërheqëse në Mesdhe, me një vijë bregdetare që po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje ndërkombëtare.
Shqipëria është përfshirë në listën e destinacioneve evropiane të rekomanduara për pushime të qeta, krahas Portugalisë, Francës, Letonisë dhe Uellsit.
Riviera Shqiptare
Për një udhëtim buzë detit, Riviera Shqiptare ofron një ndërthurje ideale mes deteve Adriatik dhe Jon.
Rajoni po bëhet gjithnjë e më i njohur, falë plazheve me ujëra të kristalta dhe peizazheve natyrore ende të paprekura.
Në këtë zonë, çdo vizitor gjen diçka për veten:
Saranda është destinacioni më i njohur, me jetë nate dhe atmosferë të gjallë turistike.
Himara dhe zonat përreth ofrojnë qetësi dhe plazhe ideale për relaks.
Ndërsa gjiret më të fshehura si Porto Palermo dhe Qeparo ruajnë një karakter më autentik dhe natyror.
Ksamili dhe Dhërmiu janë ndër destinacionet më të kërkuara, falë ujërave të tyre bruz dhe plazheve piktoreske.
Tirana
Kryeqyteti i Shqipërisë është një ndalesë e domosdoshme për çdo vizitor.
Tirana përfaqëson një përzierje të historisë dhe modernitetit, me arkitekturë të periudhave të ndryshme që pasqyrojnë zhvillimin e vendit.
Qendra e qytetit gjallërohet nga jeta kulturore, veçanërisht në zonën e “Bllokut”, dikur e mbyllur, sot një nga lagjet më dinamike.
Ndër pikat më të vizituara janë: muzeu Bunk’Art 2, i vendosur në një bunker të periudhës së Luftës së Ftohtë; Sheshi Skënderbej, dhe Muzeu Historik Kombëtar.
Berati
Berati, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, është një nga perlat historike të vendit dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Qyteti dallohet për shtëpitë e stilit osman të ngjitura në kodër, me fasada të bardha dhe dritare të shumta.
Kalaja e lashtë, muzetë dhe objektet e kultit të besimeve të ndryshme, i japin Beratit një karakter unik historik dhe kulturor.
Liqeni i Komanit
Liqeni i Komanit është një rezervuar i vendosur mes maleve të larta, që ofron peizazhe të jashtëzakonshme natyrore.
I quajtur shpesh “fFordet Shqiptare”, ai mund të eksplorohet më së miri përmes një lundrimi me varkë, duke shijuar pamjet spektakolare të natyrës së paprekur.
Butrinti
Butrinti është një nga sitet më të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri dhe pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Parku kombëtar mbulon periudha historike nga epoka e bronzit deri në shekullin XIX.
Mes gjelbërimit të dendur gjenden rrënoja helenistike, romake dhe bizantine, përfshirë teatrin antik, bazilikën, baptisterin dhe fortifikime të ndryshme.
Në këtë panoramë destinacionesh, Shqipëria po konfirmohet, gjithnjë e më shumë, si një nga alternativat më tërheqëse për pushime verore, duke ofruar një kombinim të rrallë mes natyrës së paprekur, çmimeve të përballueshme dhe përvojave autentike mesdhetare.

