TIRANË ,16 qershor 2026/Albania Express News/Në kuadër të forcimit të standardeve dhe rritjes së sigurisë në sektorin e turizmit, u zhvillua Konferenca Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026”, një forum i rëndësishëm që mblodhi së bashku përfaqësues të institucioneve kryesore përgjegjëse për mbikëqyrjen, kontrollin dhe zhvillimin e këtij sektori strategjik për ekonominë shqiptare.
Në këtë konferencë mori pjesë edhe Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili, së bashku me drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të tjera, diskutoi mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për garantimin e standardeve, sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve në industrinë e turizmit.

Gjatë punimeve të konferencës u theksua se rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve që vizitojnë Shqipërinë sjell njëkohësisht edhe përgjegjësi më të mëdha për institucionet publike, të cilat duhet të garantojnë siguri, cilësi shërbimesh dhe respektim të standardeve ligjore e mjedisore në të gjithë territorin e vendit.
Diskutimet u përqendruan në disa prej çështjeve më të rëndësishme që lidhen me menaxhimin dhe mbikëqyrjen e sektorit turistik, duke vënë theks të veçantë te siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit publik, ruajtja e mjedisit dhe territorit, mbikëqyrja e tregut, respektimi i të drejtave të punëmarrësve, si dhe lufta kundër informalitetit.

Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për një qasje moderne të inspektimit, të bazuar në analizën e riskut, parandalimin e problematikave dhe koordinimin efektiv ndërinstitucional, me qëllim rritjen e cilësisë së kontrollit dhe shmangien e praktikave të paligjshme.
Gjithashtu, u vu në dukje se bashkëpunimi i vazhdueshëm mes institucioneve, shkëmbimi i informacionit dhe digjitalizimi i proceseve janë elementë kyç për rritjen e efikasitetit dhe transparencës së veprimtarisë së tyre.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, konferenca ritheksoi rëndësinë e zbatimit në praktikë të standardeve të Bashkimit Evropian, në funksion të ndërtimit të një sektori turistik të qëndrueshëm, modern dhe konkurrues.

Punimet e Konferencës Kombëtare për Turizmin “Adriatik 2026” u përmbyllën me mesazhin se një turizëm i sigurt dhe cilësor ndërtohet përmes bashkëpunimit të të gjitha institucioneve dhe aktorëve të përfshirë, duke garantuar mbrojtjen e interesit publik dhe krijimin e një eksperience sa më të mirë për çdo vizitor në Shqipëri.

