“Nuk tërhiqemi asnjë hap përballë krimit” – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë viziton efektivin e plagosur Edison Adri në Spitalin e Traumës

TIRANË ,16 qershor 2026/Albania Express News/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, i shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, vizitoi sot në ambientet e Spitalit të Traumës punonjësin e Policisë Edison Adri, i cili mbeti i plagosur më 4 qershor gjatë një operacioni me rrezikshmëri të lartë në Malin Boden, në Maliq.

Operacioni, i zhvilluar për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë, u shoqërua me një përballje të armatosur, ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli, i shpallur tashmë Dëshmor i Atdheut, ndërsa kolegu i tij Edison Adri mbeti i plagosur.

Gjatë vizitës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i uroi efektivit shërim sa më të shpejtë dhe vlerësoi guximin dhe përkushtimin e tij në përmbushjen e detyrës.

“Erdha sot këtu për të të shtrënguar dorën, Edison, për të të uruar shërim sa më të shpejtë dhe për të të shprehur mirënjohjen më të thellë për guximin, përkushtimin dhe trimërinë e jashtëzakonshme që tregove gjatë përballjes me rrezikun,” u shpreh Skender Hita.

Ai nënvizoi se humbja e Enea Mekollit është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen e Policisë së Shtetit, ndërsa theksoi se mbështetja institucionale për efektivin e plagosur dhe familjen e dëshmorit do të jetë e plotë dhe e pandërprerë.

Në një mesazh të fortë drejtuar punonjësve të Policisë dhe qytetarëve, Hita deklaroi se lufta kundër krimit do të vijojë me vendosmëri.

“Dua t’i garantoj të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që shërbejnë çdo ditë me integritet dhe sakrificë se do të kenë gjithmonë mbështetjen time të plotë. Qytetarëve iu garantoj se, pavarësisht rrezikut dhe kostove njerëzore që kjo luftë mund të sjellë, ne nuk do të tërhiqemi asnjë hap përballë krimit. Do të vazhdojmë të jemi në vijën e parë, me vendosmëri, profesionalizëm dhe dinjitet, për të luftuar krimin dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve,” deklaroi ai.

Nga ana e tij, efektivi Edison Adri falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se interesimi institucional është një motivim i madh për të dhe për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit.

“Faleminderit shumë z. Drejtor! Interesimi, përkujdesja dhe ardhja juaj përsëri sot këtu tregojnë shumë dhe janë një shpresë e madhe për mua dhe për të gjithë Policinë. Jemi të gjithë bashkë në luftën kundër krimit dhe në shërbim të qytetarëve,” u shpreh Adri.

Edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, dha një mesazh inkurajues për gjendjen shëndetësore të efektivit, duke bërë të ditur se ai po përmirësohet dhe se stafi mjekësor mbetet i angazhuar maksimalisht për rikuperimin e tij të plotë.

“Edisoni është më mirë. Kemi bërë më të mirën, brenda mundësive tona. Stafi këtu ka bërë një punë të shkëlqyer dhe jemi të përkushtuar që t’i ofrojmë kujdesin më të mirë deri në rikuperimin e plotë,” deklaroi Bode.

Vizita u konsiderua si një shenjë solidariteti dhe mbështetjeje ndaj efektivëve që përballen çdo ditë me rreziqe në përmbushje të detyrës, si dhe një mesazh i qartë se lufta kundër krimit mbetet një prioritet i pandryshueshëm për Policinë e Shtetit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Eurodeputeti Andreas Schieder: Shqipëria mund të jetë historia e ardhshme e suksesit të zgjerimit të BE-së

BRUKSEL ,16 qershor 2026/Albania Express News/Gjatë seancës plenare të...

Mandati politik nuk është pronë personale!

NGA VLADIMIR MUÇAJ TIRANË ,16 qershor 2026/Albania Express News/Në demokracitë...