Zjarri masiv në ish-Metalurgjikun e Elbasanit, 12 mjete zjarrfikëse dhe 40 efektivë në operacion, zona mbulohet nga tymi i dendur

ELBASAN ,16 qershor 2026/Albania Express News/Vijon me intensitet të lartë operacioni për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë pasditen e sotme një kompani që prodhon letra dhe produkte higjienike në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca të shumta për të vënë situatën nën kontroll.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur punën për izolimin e flakëve, të cilat për shkak të materialeve të djegshme janë përhapur me shpejtësi dhe kanë krijuar një vatër me përmasa të konsiderueshme.

Aktualisht në terren janë angazhuar 12 mjete zjarrfikëse, 2 fadroma dhe 40 punonjës, përfshirë edhe efektivë të ardhur nga bashkitë fqinje, të cilët po punojnë pa ndërprerje për të kufizuar përhapjen e zjarrit dhe për të neutralizuar plotësisht vatrën.

Në vendngjarje ndodhen edhe strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat kanë marrë masa për sigurimin e perimetrit dhe koordinimin e veprimeve me ekipet e emergjencës, ndërsa Bashkia Elbasan po ndjek nga afër menaxhimin e situatës dhe koordinimin e të gjitha strukturave të përfshira në operacion.

Ndërkohë, e gjithë zona e ish-Metalurgjikut është mbuluar nga shtellunga të dendura tymi, ndërsa era e rëndë e shkaktuar nga djegia e materialeve ka krijuar shqetësim të madh për banorët dhe subjektet që ndodhen në afërsi. Ndotja e ajrit është e dukshme në një sipërfaqe të gjerë, ndërsa autoritetet po monitorojnë zhvillimin e situatës deri në shuarjen e plotë të flakëve.

Deri në këto momente nuk ka informacione zyrtare për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende objekt i hetimeve. Pas përfundimit të operacionit pritet të kryhet edhe vlerësimi i dëmeve materiale dhe ekspertiza për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME