ELBASAN ,16 qershor 2026/Albania Express News/Një zjarr ka përfshirë pasditen e sotme magazinën e fabrikës “Optimal”, në zonën e ish-Metalurgjikut në Elbasan, duke shkaktuar panik dhe mobilizimin e menjëhershëm të strukturave të emergjencës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë shpërthyer në ambientet e magazinës së kompanisë, e cila merret me prodhimin e letrave të lagura dhe produkteve të ndryshme higjienike. Nga zjarri janë ngritur shtellunga të dendura tymi, të dukshme në një pjesë të mirë të qytetit, ndërsa forcat zjarrfikëse po punojnë intensivisht për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre në objektet përreth.

Fabrika administrohet nga investitorë turq, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur disa mjete të Shërbimit Zjarrfikës, si dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët kanë rrethuar zonën dhe po koordinojnë veprimet për menaxhimin e situatës.
Deri në këto momente nuk ka një njoftim zyrtar për persona të lënduar, ndërsa shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta. Policia ka nisur verifikimet dhe pritet që pas shuarjes së plotë të flakëve të kryhet edhe ekspertiza për përcaktimin e origjinës së zjarrit.
Autoritetet vijojnë të jenë në terren, ndërsa vlerësimi i dëmeve materiale do të bëhet pas përfundimit të operacionit dhe sigurimit të plotë të zonës.



