LIBRAZHD ,14 qershor 2026/Albania Express News/Kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, ka qenë pasditen e të dielës pranë banorëve të fshatit Dardhë , të cilët prej katër ditësh janë përballur me mungesën e ujit të pijshëm dhe atij për vaditje , situatë që sipas tij ka ardhur si pasojë e ndërprerjes së furnizimit nga kontraktori i HEC-it, në kundërshtim me detyrimet e përcaktuara në marrëveshje.
Në një reagim publik, Disha bën të ditur se ka dëgjuar nga afër shqetësimet e banorëve dhe është njohur me problematikën e krijuar, duke e cilësuar të papranueshme që një komunitet të mbetet pa një shërbim jetik si furnizimi me ujë të pijshëm dhe me mungesën e ujit për vaditje .
Ai thekson se ka kërkuar marrjen e menjëhershme të masave për zgjidhjen e situatës dhe rikthimin sa më parë të furnizimit normal me ujë për banorët e zonës.
Njëkohësisht, sipas kryebashkiakut të Librazhdit, ndaj subjektit përgjegjës do të ndiqen të gjitha procedurat e parashikuara nga ligji, duke kërkuar vendosjen e sanksioneve për shkeljen e marrëveshjes dhe për cenimin e interesave të banorëve të fshatit Dardhë në Njësinë Administrative Hotolisht .
Deklarata vjen në një moment kur banorët kanë ngritur shqetësime të forta për mungesën e ujit, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për garantimin e një prej shërbimeve më bazike për jetën e komunitetit.

